Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka dhënë sqarime lidhur me deklaratën e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili tha se vendimi për t’ia dhënë Manastirit të Deçanit 24 hektarë tokë ishte marrë nga Kurti “për hatër të tij”.
I pyetur për këtë çështje, Kurti u përgjigj shkurt, duke thënë se deklarata tashmë është sqaruar nga vetë ministri dhe nga zëdhënësi i Qeverisë.
“Ka folur tashmë zëdhënësi im Arlindi, e po ashtu e ka sqaruar edhe ministri Rashiq”, tha Kurti, raporton Paparaci.
Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq në një intervistë për Radio Gorazhdecin ka folur për marrëdhënien e tij me kryeministrin Albin Kurti dhe vendimet e Qeverisë që prekin komunitetin serb.
Ndër të tjera, ai ka deklaruar se këmbëngulja e tij çoi në zbatimin e vendimit për bartjen e 24 hektarëve Manastirit të Deçanit, me ç’rast, siç ka shtuar ai, Kurti i kishte thënë se “po e bëj për shkakun tënd”.
“Do ta them, ndoshta pa modesti, por ndodhi falë këmbënguljes sime të vazhdueshme. Për vite me radhë kam shpjeguar pse ishte e rëndësishme. Në fund, kryeministri më thirri para mbledhjes së Qeverisë dhe më tha: ‘Kam menduar shumë për këtë. Do ta bëjmë, por e di – për shkakun tënd”, deklaroi Rashiq për Radio Gorazhdecin.
Mirëpo, një ditë më vonë, të hënën, Rashiq ka thënë se nuk ishte plotësisht e saktë deklarata e tij, se kryeministri Albin Kurti, i ka thënë se vendimin për kalim në pronësi të Manastirit të Deçanit të 24 hektarëve tokë po e merrte hatri i tij.
Në një sqarim lidhur me deklaratën e dhënë në një intervistë për “Radio Gorazhdevcin”, Rashiq, ka thënë se e ka ngatërruar fjalinë “këtë e kemi bërë për ty” të Kurtit, me një bisedë që kishte ndodhur më herët, gjatë miratimit të vizitës së patriarkut serb.
“Gjatë një paraqitjeje në podkastin e Radios Gorazhdevcin, kam deklaruar se gjatë marrjes së vendimit për kthimin e tokës Manastirit të Deçanit, kryeministri Kurti më ka thënë: ‘Këtë e kemi bërë për ty’. Kjo deklaratë e imja nuk ishte plotësisht e saktë, pasi e kam ngatërruar këtë fjali me një bisedë që kishte ndodhur më herët, gjatë miratimit të vizitës së Patriarkut serb, kur kjo fjali ishte thënë”, thuhet në sqarimin e Rashiqit.
Ai ka thënë se gabimi i tij ka qenë i paqëllimshëm dhe ky ngatërrim i ngjarjeve ka ndodhur për shkak se kanë kaluar disa vite që nga ajo kohë. “Kërkoj falje nëse deklarata ime ka krijuar konfuzion”, ka shkruar Rashiq.
Ndërkohë zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, ka theksuar se zbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastiritt ë Deçanit është bërë vetëm në funksion të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Në reagimin e tij, Manxhuka ka thënë se ajo që ka “ngatërruar” ministri Rashiq është pranimi i kërkesës së tij për vizitën e Patriarkut Porfirije në Kosovë për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023, duke thënë se kjo çështje nuk lidhet me vendimin për zbatimin e aktgjykimit për tokën e Manastirit të Deçanit.










