Barcelona e mbylli fundjavën me një fitore të vështirë 1-0 në fushën e Athletic Bilbao, duke ruajtur avantazhin prej 4 pikësh ndaj Real Madrid në La Liga. “Nuk është e lehtë të luash dhe fitosh në atë fushë”, tha trajneri Hansi Flick, që përgatitet për sfidën e radhës në Champions ndaj Newcastle.
“Na u desh të menaxhonim minutat pas ndeshjes të së martës në Kupën e Mbretit dhe për sfidën e ardhshme në Champions. Ndaj, e vlerësoj shumë fitoren. Dhe, kryesore është se e mbajtëm portën të paprekur”, shtoi më tej trajneri gjerman.
Flick nuk i kursen lëvdatat për Pedri dhe Yamal, lojtarët që vendosën golin dhe fitoren e skuadrës katalanase: “Pedri i bën të gjithë më të mirë. Ai e ndryshon lojën, ka një ndjenjë të shkëlqyer loje”.
“Olmo gjithashtu luajti më mirë në pjesën e dytë, por gjëja e rëndësishme është që të gjithë luftuan së bashku. Yamal nuk pati ndeshjen e tij më të mirë, por goli i tij vendosi gjithçka. Është pozitive që ai mund ta vendosë ndeshjen në një situatë të caktuar“, tha Flick.
“Jam gjithmonë krenar për lojtarët e mi. Ky ekip ka një atmosferë të veçantë, të cilën e vlerësoj. Vlerësoj frymën e tyre të ekipit, qëndrimin e tyre, gjithçka është fantastike. Jam i lumtur, më pëlqen ajo që shoh. Pas ndeshjes kundër Atlético pashë një qëndrim të mirë, kjo është ajo që kërkoj”, tha Flick.
The post Flick: Pedri e bën skuadrën të luajë më mirë, jam krenar për lojtarët dhe atmosferën e krijuar appeared first on Telesport.










