Learta Hollaj, shefja e stafit të presidentes Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj pretendimeve për skemë apo plan të organizuar prej Osmanit për rrëzim të Qeverisë.
Përpos që ka thënë se nuk janë të vërteta, Hollaj i ka cilësuar ato edhe si produkt të mendësisë që është e gatshme ta dëmtojë edhe vetë shtetin.
“Shpifjet që po qarkullojnë për kinse puç, skemë apo plan të organizuar nga Presidentja Vjosa Osmani për rrëzimin e Qeverisë, qoftë në bashkëpunim me Ramën, Grenellin, Vuçiqin, apo me opozitën, nuk janë vetëm të pavërteta por edhe produkt i një mendësie e cila për interesa të momentit, është e gatshme të dëmtojë edhe vetë shtetin. Presidentja Osmani nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të bëhet kurrë pjesë e skenarëve të tillë. Për të, politika nuk është terren i komploteve, por përgjegjësi ndaj Republikës, kushtetutës dhe qytetarëve tanë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Hollaj ka deklaruar se shpifjet po tentojnë të paraqiten si narrativë politike.
“Në një kohë kur shpifjet tentojnë të paraqiten si narrativë politike, Presidentja nuk mbështetet në makineri propagandistike për të imponuar të vërtetën e saj. Por ajo mbështetet në diçka më të fortë: në të vërtetën vetë. Koha gjithmonë i ndan qartë faktet nga propaganda. Qytetarët e Kosovës do ta kuptojnë qartë se çfarë qëndron pas gjithë kësaj zhurme. Sepse në fund, propaganda do të zbehet, ndërsa e vërteta do të mbetet”, ka shtuar ajo.









