Gazetari Vehbi Kajtazi ka reaguar në lidhje me debatin për kushtetutshmërinë e dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, duke thënë se interpretimet kundër këtij vendimi janë në funksion të ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjykatën Kushtetuese.
Në një postim në Facebook, Kajtazi ka thënë se Kushtetuta nuk e ka paraparë situatën kur deputetët refuzojnë të marrin pjesë në seancë për të bllokuar procesin e zgjedhjes së presidentit.
“Kushtetuta nuk e ka parapare situaten e mbramshme kur deputetet refuzojne te marrin pjese ne seance, per te thene dikush se nuk jane konsumuar tri raunde votimi”, ka shkruar ai.
Sipas tij, pretendimi se duhej të mbaheshin tri raunde votimi për të konsumuar nenin 86 të Kushtetutës është i gabuar.
“Kushdo qe po thote se eshte dashur te kryhen tri raunde votimesh per president ne menyre qe te konsumohet neni 86 i Kushtetutes, ose eshte i padijshem, ose i poshter”, ka deklaruar Kajtazi.
Ai thekson se bojkoti i seancës nga deputetët është gjithashtu një qëndrim politik dhe nuk mund të shfrytëzohet për të bllokuar mekanizmat kushtetues.
“Bojkoti eshte edhe qendrim politik. Debati kunder te drejtes se presidentes per ta shperbere Kuvendin eshte ne funksion te Vetevendosjes dhe ankeses se kesaj partie ne Kushtetuese”, ka shkruar ai.
Në analizën e tij, Kajtazi i referohet edhe Komentarit të Kushtetutës nga profesorët Enver Hasani dhe Ivan Çukalloviq, duke argumentuar se neni 86 synon të parandalojë bllokimin institucional kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë presidentin.
Sipas tij, edhe në rastin kur nuk zhvillohet votimi për shkak të mungesës së kuorumit, kemi një “dështim faktik” të zgjedhjes së presidentit, që bie brenda qëllimit të kësaj dispozite.
“Interpretimi strikt procedural do te krijonte nje situate absurde ku nje pakice deputetesh mund te bllokoje sistemin kushtetues duke mos marre pjese ne seance”, ka shkruar Kajtazi.
Ai thekson gjithashtu se presidenti ka rol kushtetues për të garantuar funksionimin e institucioneve dhe për të ndërhyrë në raste të paralizës institucionale.
“Dekretimi i zgjedhjeve nga Presidentja perbente nje veprim ne perputhje me qellimin dhe frymen e Kushtetutes dhe ishte zgjidhja e vetme efektive per tejkalimin e bllokades institucionale te krijuar ne Kuvend”, ka përfunduar Kajtazi.










