‘‘Kanë gabu rëndë’’, Gjini: Zgjedhjet kanë qenë të evitueshme, VV s’ka pasur vullnet me gjet rrugë

Ardian Gjini, nënkryetari i AAK-së ka mbajtur konferencë për media lidhur me zgjedhjet e parakohshme.

Ai tha se janë mbledhur me Këshillin Drejtues të Alencës për ta pezulluar procesin e brendshëm zgjedhor të partisë.

“Sot Këshilli Drejtues i Aleancës ka marrë vendim të parë për pezullimin e procesit të brendshëm zgjedhor. Siç e dini, ne e kemi filluar këtë proces, mirëpo meqenëse do të kemi zgjedhje nacionale datën nuk e dimë, por do t’i kemi atëherë ka qenë interaktiv që ne këtë proces ta pezullojmë”, tha Gjini.

Ai tha se po përgatiten për zgjedhjet e reja për të fituar.

“Në ana tjetër, i kemi krijuar edhe ekipet për zgjedhjet, të cilat janë prapë obligimet tona statutore edhe politike, si shtabi zgjedhor dhe miratimin e autorizimeve për listat dhe për gjithçka që e pret Aleancën në këto zgjedhje. Ne po përgatitemi, po përgatitemi për zgjedhje, do ta bëjmë më të mirën tonë, do të synojmë me i fitu zgjedhjet. Nuk po synojmë diçka tjetër. Çka do të sjellë koha tash e mëtutje, me siguri se do t’ju informojmë me kohë”, tha ai.

I pyetur se a kanë qenë këto zgjedhje të evitueshme, Gjini theksoi se po mirëpo kryeministri Kurti dhe LVV kanë gabuar rëndë.

“Gjithmonë zgjedhjet janë të evitueshme nëse veç nuk ka përfunduar mandati i Parlamentit. Edhe këto zgjedhje kanë qenë të evitueshme. Në një aspekt, është keq që kanë ndodhur. Ne për një kohë të gjatë i kemi thënë mendimet tona edhe në publik se partia më e madhe, partia në pushtet, nuk ka pasë vullnet me gjetë rrugë për me i evitu. Në demokraci ka nevojë me gjetë rrugë, me gjetë kompromis, me gjetë mënyra për me qeveris për vendin, jo me e zaptu vendin, jo me i zaptu institucionet. Ne mendojmë që kanë gabu rëndë. Kanë gabu rëndë, ka pasë zgjidhje, ka pasë mundësi me i evitu zgjedhjet, mirëpo tani jemi para aktit të kryem”, shtoi Gjini. /eo