Gazetari Vehbi Kajtazi ka reaguar ndaj ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjykatën Kushtetuese e Kosovës, duke e cilësuar atë si përpjekje për t’i detyruar deputetët e opozitës të marrin pjesë në seancat parlamentare.
Sipas Kajtazit, thelbi i ankesës së Vetëvendosjes lidhet me bojkotin e seancës nga opozita, por ai thekson se ligjet dhe praktika parlamentare në Kosovë nuk e obligojnë një deputet të marrë pjesë në seancë.
“Thelbi i ankesës së Vetëvendosjes është se pse opozita e ka bojkotuar seancën. Nuk ka ligj as praktikë që e detyron një deputet me marrë pjesë në seancë. Me ligjet tona, deputetët kanë të drejtë bojkot deri në gjashtë muaj. Ndryshe humbin mandatin”, ka shkruar Kajtazi.
Ai ka shtuar se në historinë parlamentare të Kosovës bojkot të gjatë kanë bërë vetëm Vetëvendosje dhe Lista Serbe, duke përmendur edhe liderët e tyre.
“Në historinë parlamentare të Kosovës, bojkot deri në gjashtë muaj kanë bërë vetëm Vetëvendosje e Albin Kurti dhe Lista Serbe e Milan Radojeviq”, ka theksuar ai.
Në reagimin e tij, Kajtazi ka përdorur tone të ashpra ndaj qeverisë, duke thënë se ankesa në Kushtetuese është në frymën e një përpjekjeje për të detyruar deputetët që t’i nënshtrohen pushtetit.
“Ankesa e Vetëvendosjes në Kushtetuese është në frymën e diktatit të regjimit të grupit kriminal të Albin Kurtit për t’i detyruar deputetët që t’i nënshtrohen”, ka shkruar Kajtazi.
Ai ka theksuar se mandati i deputetit është i lirë dhe se kjo çështje, sipas tij, është trajtuar edhe më herët nga Gjykata Kushtetuese.
“Mandati i deputetëve është i lirë dhe kjo çështje është trajtuar nga Gjykata. Unë besoj se Kushtetuesja do ta shpallë të papranueshme lëndën e regjimit. Nuk ka kush e ndal rënien e tij”, ka deklaruar Kajtazi.
Në fund të reagimit, ai ka publikuar edhe një video nga një seancë e mëhershme parlamentare gjatë kohës së përpjekjeve për zgjedhjen e Hashim Thaçi president, duke përmendur edhe deklaratat e ministres Albulena Haxhiu.










