Zgjedhje të reja? Kurti: Vështirë të nxjerremi pa 10 mln euro, nuk shoh lëvizje të mëdha

Kryeministri Albin Kurti tha se zgjedhjet e jashtëzakonshme vështirë se mund të prodhojnë rezultate të ndryshme nga ato të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, 2025.

Kurti, në një konferencë për media të premten, u shpreh se zgjedhjet e reja i sheh më shumë si kosto që rëndon financiarisht.

“Vështirë të nxjerremi edhe me një palë zgjedhje tjera pa 10 milionë euro.. dhe ta përsërisim rezultatin. Mund të ketë ndonjë lëvizje të vogël por nuk shoh diferenca të mëdha”, tha Kurti.

Më tej, Kurti e quajti të gabuar dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës të nxjerrë sot nga presidentja Vjosa Osmani dhe tha se mazhoranca kishte planifikuar që të mbante një seancë edhe për sot.

“Mirëpo, ajo që më duhet të pranojë se na u pamundësua është një seancë e Kuvendit për sot pasdite. Në orën 14:00 Kuvendi ka planifikuar të mbajë një seancë për ratifikimin e disa marrëveshjeve në të mirë të vendit”, deklaroi Kurti.

Ai përmendi dy marrëveshje me BERZH-in në vlerë të përbashkët rreth 70 milionë euro.

Një marrëveshje tjetër që përmendi kryeministri, është edhe ajo me Fondin Saudit e cila parasheh 13 milionë euro për rrugën magjistrale Prishtinë-Podujevë.