Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbështetur vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.
Abdixhiku ka thënë se dështimi politik nuk mund të prodhojë zvarritje procedurale. Ai është shprehur i gatshëm qysh sot të marrë pjesë në takim konsultativ për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja.
“Mbështes dhe mirëpres, siç edhe pritej, dekretin dhe qëndrimin e Presidentes së Republikës Vjosa Osmani Sadriu, për shpërndarjen e Kuvendit. LDK vlerëson përgjegjësinë dhe qartësinë kushtetuese të treguar në këtë vendim nga ajo, në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit normal të institucioneve të Republikës. Dështimi politik, bashkë me tendencat e rrezikshme të imponimit e improvizimit, nuk mund të prodhojnë as debate artificiale politike e as zvarritje procedurale që do ta shndërronin Republikën tonë në një vend pa norma dhe pa rregulla. Në këtë frymë, jemi të gatshëm të marrim pjesë në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe t’i drejtohemi qytetarëve për zgjidhjen e re demokratike”, thuhet në postimin e Abdixhikut në Facebook.
Sipas tij zgjedhjet ishin të panevojshme, por tashmë vendimi i takon qytetarëve të Kosovës.
“Zgjedhjet nuk ishin asnjëherë alternativa e preferuar e LDK-së. Përkundrazi, ato ishin krejt të panevojshme dhe lehtësisht të shmangshme. Fatkeqësisht, apetitet për kapje njëpartiake të të gjitha pozitave shtetërore parandaluan çdo kompromis eventual. Tani vendimi i takon qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në demokraci, fjala e fundit gjithmonë i takon sovranit”, ka thënë ai.










