Dështimi i seancës së Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ri të Kosovës para orës 00:00 të 6 marsit kur i përfundon mandati Vjosa Osmanit, Kosovës i është hapur rruga drejt zgjedhjeve të reja, por pushteti i prirë nga Vetëvendosja ka dërguar krejt procesin në Gjykatën Kushtetuese për të fshehur dështimin e vetë dhe për të fituar më shumë kohë.
Këtë e kanë e kanë deklaruar edhe përfaqësues të PDK-së e LDK-së që kanë thënë se kjo ishte vetëm spektakël i Vetëvendosjes që nuk e kishte kuorumin për zgjedhjen e presidentit mes Glauk Konjufcës e Fatmire Kollcakut.
Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për procedurën e zgjedhjes së presidentit të Kosovës.
Postimi i Albulena Haxhiut:
Sapo i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, përmes kësaj kërkese, kemi kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së Presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit.
Lidhur me këtë, e kam njoftuar edhe Presidenten, Vjosa Osmani-Sadriu.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Arian Tahiri, ka folur në emisionin Rubikon në Klan Kosova pas dështimit të votimit të presidentit.
Sipas Tahirit, vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
“Kuvendi ka dështuar të zgjedh Presidentin. Kjo ka ndodhur si rezultat i mungesës së vullnetit politik i forcës kryesore politike që ka qenë në këtë legjislaturë dhe tashmë qysh e parasheh edhe Kushtetuta, vendi duhet të shkojë në zgjedhje për shkak se nuk ka mundur brenda afateve kushtetuese me zgjedh Presidentin”, deklaroi Tahiri.
Ai theksoi se krejt manovrat kanë tendenca për ta zvarritur procesin dhe për të blerë kohë.
Shefi i GP-së së PDK-së shtoi se janë në pritje të datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Ndërkaq, Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se që pas mesnatës Kosova hyn sërish në fazën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Ai ka shtuar se partia e tij ka qenë e gatshme për marrëveshje dhe konsensus për një kandidat jopartiak, por se sipas tij kjo nuk është pranuar nga palët e tjera politike.
“Kosova po futet drejt një procesi të ri zgjedhor në orën 00:00, LDK pret dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe sa më parë konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Kemi pasur gatishmëri të plotë për konsensus, kjo gatishmëri nuk është përputhur me synimet e palëve tjera. Seancën e tanishme e konsiderojmë monopartiake. Kemi dy kandidatë të një partie, kështu nuk arritët konsensusi, uniteti. Ne kemi qenë në pozicion të ofrimit të marrëveshjes që është ofruar, dhe të gatshëm për konsensus por nuk na është ofruar asnjë emër”, ka thënë ai para fillimit të seancës për presidentin.
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu përmes një lidhje direkte në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova ka folur në lidhje me çështjen e Presidentit.
Lushaku-Sadriu tha se ajo çka ndodhi sot është një tendencë për ta arsyetuar veprimin e tyre politik dhe siç u shpreh ajo, për të për të shkuar drejt një krize politike.
“Kjo është një tendencë për ta arsyetuar krejt veprimin e tyre politik dhe për të shkuar drejt një krize politike e cila pastaj benefitin e vetëm e ka për Vetëvendosjen që fiton më shumë kohë. Kjo vërtetë është fatkeqësi për vendin”, u shpreh ajo.










