Komisioni për Legjislacion ka miratuar ndryshimet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani, të cilat parashohin që Presidenti i vendit të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët.
Pas këtij zhvillimi ka reaguar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, i cili ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për, siç tha ai, vonesën në hapjen e këtij debati.
Në një reagim në Facebook, Mustafa ka thënë se ideja që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli është diskutuar edhe më herët dhe se partia e tij e ka mbështetur një gjë të tillë.
“Sa shumë po e do VV-ja sonte Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Po, pajtohem që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, ashtu siç kemi thënë edhe në vitet 2010–2011 kur është diskutuar kjo çështje. Por ku ishte VV për pesë vjet në pushtet? Pse kurrë nuk e hapën këtë debat deri sonte?”, ka shkruar Mustafa.










