Ish-sulmuesi uellsian Gareth Bale e përshkroi periudhën e tij te Real Madridi si një përvojë me shije të përzier. Edhe pse fitoi 5 Champions League me klubin madrilen dhe ishte një nga transferimet më të mëdha në histori në atë kohë, ai përfundoi duke u larguar pa shumë lavdi. Gjatë kohës së tij te “Los Blancos”, Bale u drejtua nga dy trajnerë legjendarë, Carlo Ancelotti dhe Zinedine Zidane, për të cilët shpjegoi edhe dallimet.
Duke folur për Zidane u shpreh se trajneri francez ishte shumë i rezervuar në aspektin taktik: “Ai luajti në futbollin italian dhe mendoj se mori diçka prej andej, veçanërisht në atë periudhë kur ishim shumë mbrojtës. Nuk bënte shumë; kur luanim kundër Barcelonës ose Bayernit bënim pak taktikë, ndërsa në pjesën tjetër ishte minimal”.
Ai shtoi se “stërvitjet ishin normale, ushtrime me posedim, një ndeshje e vogël, përfundime aksionesh dhe kaq. Për ndeshjet e mëdha bënim rreth 15 minuta taktikë mbrojtëse më shumë sesa sulmuese dhe kjo ishte e gjitha”. Sipas uellsianit, Zidane nuk kishte nevojë për shumë taktikë, sepse prezenca e tij mjaftonte: “Pika e tij më e fortë ishte respekti që kishte fituar për atë që kishte bërë si lojtar, njerëzit punonin fort për këtë. Për më tepër je te Real Madridi, nuk mund të dorëzohesh”.
Fjalët më të mira pati për Ancelottin: “Carlo ishte thjesht njeriu yt, menaxhimi i tij ishte më i miri. Edhe nëse nuk luaje, ai të bënte të ndiheshe sikur ishe miku i tij më i mirë. Dhe kur duhej ishte si të të thoshte: duhet të jesh gati. Dhe ti thjesht ishe”.
Ai theksoi se italiani kishte aftësinë t’i mbante të gjithë të bashkuar dhe të lumtur: “Nuk ke nevojë të jesh një trajner i madh taktik për të qenë te Real Madridi, mjafton të menaxhosh grupin e lojtarëve dhe t’i lësh të bëjnë atë që dinë. Sigurisht ka disa gjëra taktike, por nuk nevojiten shumë. Kudo të shkojë Ancelotti do të bëjë punë të madhe, sepse do t’i ketë të gjithë me vete. Në një klub të madh me lojtarë të mëdhenj ai di gjithmonë të nxjerrë më të mirën prej tyre. Në këtë aspekt është një gjeni”.
The post “Zidane nuk bënte shumë në stërvitje; para Barcelonës ose Bayernit vetëm pak taktikë” appeared first on Telesport.










