Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt u ankuan te shefi i UNMIK-ut, Peter Due, për pozitën e komunitetit serb dhe, siç thonë ata, “për situatën gjithnjë e më të vështirë të sigurisë dhe atë politike në të cilën ndodhen serbët”.
Përfaqësuesit e Listës Serbe veçanërisht u ankuan për zbatimin e paralajmëruar të Ligjit për të Huajt dhe atë për Automjetet, për të cilët pretendojnë se “duhet të jetë alarm për të gjithë përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare”, transmeton Paparaci.
“Nëse kjo qasje vazhdon, ekziston rreziku real që të rrezikohet edhe më shumë mbijetesa e “popullit” serb në Kosovë, të dëbohen mijëra bashkëkombës tanë dhe të rrezikohen institucionet jetike”, shkruan në propagandën e radhës së Listës Serbe.
Përfaqësuesit e Listës Serbe gjithashtu u ankuan për “problemet e tjera të serbëve”, por siç thonë ata, “veçanërisht theksuan dhunën institucionale” që, sipas tyre, “e përjetojnë qytetarët, por edhe komunat serbe ku në pushtet janë kryetarë serbë”.
“Theksuam se përmes masave të ndryshme administrative, presioneve dhe vendimeve të njëanshme, po vështirësohet edhe më shumë jeta e serbëve dhe po rrezikohet funksionimi i vetëqeverisjes lokale në mjediset ku serbët përbëjnë shumicën”, vazhdojnë ata.
Ata kërkuan nga përfaqësuesit e UNMIK-ut që bashkësia ndërkombëtare ta ndjekë më aktivisht situatën në terren dhe ta përdorë mandatin e saj për të parandaluar “masat që çojnë në paqëndrueshmëri shtesë dhe në rrezikimin e të drejtave themelore të pakicës serbe”.
Mirëpo, ata, si zakonisht nuk tregojnë se çfarë përgjigje kanë marrë nga shefi i UNMIK-ut./Paparaci.com










