Dëbim, vrasje e djegie të kufomave- dëshmitarët tregojnë se forcat serbe ua vranë prindërit e fëmijën 5-vjeçar

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj dy të akuzuarve për krime lufte, Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, të mërkurën janë dëgjuar dëshmitarët Gani Rugova dhe Lumnije Musaj, të cilët treguan se si ishin dëbuar nga shtëpitë dhe çfarë përjetuan.

Rugova tregoi se forcat serbe ia vranë prindërit dhe ia dogjën shtëpinë bashkë me trupat e tyre brenda, ndërsa Musaj tregoi se si ajo me fëmijët e saj u plagosën nga një predhë dhe që djali i saj 5-vjeçar vdiq si pasojë e plagëve.

Fillimisht, dëshminë para trupit gjykues, gjatë sesionit të paraditës e dha dëshmitari Gani Rugova, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Rugova, rrëfimin e tij e nisi nga një takim që kishte me bashkëfshatarët në fshatin Cërcë, të Komunës së Klinës, kur aty kishin ardhur një patrullë e policisë serbe dhe ju ishte kërkuar që deri në mëngjesin e së nesërmes t’i lëshonin shtëpitë e tyre.

“Na kanë urdhëru me i lëshu shtëpitë dhe na kanë thënë deri nesër në ora 06:00 jeni të sigurt, rrugët i keni të hapura për në Rozhajë dhe Shqipëri, por me sugjerim për Rozhajë”, tha Rugova.

Ndërsa, kur ishin larguar me fëmijët për në Rozhajë, dëshmitari tha se prindërit i kishte në fshatin Kaliqan, ku pasi që kishte dëgjuar se aty kanë hyrë forcat e ushtrisë dhe kishin bërë krime, ishte kthyer. Tha se kishte hyrë në shtëpinë ku ndodheshin prindërit e tij, e ku i gjeti të vrarë.

“Kur jem kthy prej fshatit Baqe kemi mbërri në ora 16:00 në Kaliqan, aty s’ka qenë kërkush, ka pas kerre, traktora të lanun, asnjë njeri s’e kemi pa. Unë jam hy personalisht, drita s’ka pas, e kam dhezë një shkrepëz edhe i kam pa prindërit e vrarë aty”, tha Rugova.

Rugova, dëshminë tij e vazhdoi duke theksuar se nuk kishte mundësi që të tërhiqte nga aty trupat e prindërve të vrarë, ndërsa pasi që ishte kthyer nga Shqipëria ku kishin lëvizur ndërkohë, shtëpinë e kishte gjetur edhe të djegur.

“Kur jemi kthy prej Shqipërie e kami gjet shtëpinë e djegur dhe prindërit e djegur. Më vonë e kemi marrë vesh se aty janë vrarë 34 veta atë natë në Kaliqan”, tha Rugova.

I pyetur nga prokurori special Armend Zenelaj, se kush ishte udhëheqës i stacionit policor në Istog, dëshmitari Rugova tha se ishte i akuzuari Pantiq.

“Ka qenë Momo Pantiqi”,  u shpreh Rugova.

Në sesionin e pasdites u dëgjua dëshmitarja Lumnije Musaj, duke e nisur dëshminë e saj që nga urdhri për largim nga shtëpitë e tyre.

Ajo tha se pasi që dolën në bjeshkë, kishin dëgjuar se në fshatin Padalishtë kishte të vrarë dhe ishin urdhëruar që të largohen edhe nga aty, duke u kthyer tek shtëpitë e tyre.

“Jemi dalë poshtë, jemi dalë në rrugë kryesore. Aty ka pasë ushtri në dy anët me kamiona, me tenka, me armë, na shanin e na thonin gjithçka”, tha dëshmitarja Musaj.

Ajo deklaroi se ishin nisur në drejtim të Shqipërisë, ndërsa kur kishin arritur tek kufiri, ishin urdhëruar që të ktheheshin prapë në shtëpitë e tyre.

Musaj vazhdoi dëshminë para trupit gjykues, me rrëfimin e momentit kur ishin goditur nga një predhë, kështu duke marrë plagë ajo dhe katër fëmijët e saj, që nga forca goditëse ishin shpërndarë, ndërkohë që theksoi se me të ishin edhe disa familajarë të tjerë që po ashtu mbetën të plagosur.

“Aty na ka ra granata, jemi plagosë dhjetë vetë, qysh i kam pas fminë, çikën dy vjet e gjysmë në dorë, nga forca m’i ka gjujt fmin”, tha Musaj.

Musaj tregoi edhe momentin kur pa që kishe mbetur e plagosur bashkë me fëmijët, ndërsa theksoi se djali 5-vjeçar nga plaget kishte vdekur më pastaj.

“Unë jam e plagosur në tre vende, në dy këmbët dhe në dorë, e kam marrë një maicë të djalit e ja u kam lidhë varrët fëmijëve. Djali krejt zorrët e qitne prej barkut, jam mundu me i ba qare, s’kam mujt. Në atë moment ka ardhë burri prej mali, m’ka thanë ‘oj gru çka u ba’, i thash ‘kuku për neve se krejt fëmijët dojnë me m’vdekë”, tha Musaj.

Ajo tha se gjashtë ditë kishte qëndruar e plagosur, pa ndihmë, ndërkohë që kishe kuptuar se djali i saj 5-vjeçar që ishte plagosur, kishe vdekur. Tha se askush nuk ju kishte ofruar ndihmë, duke shtuar se duhet pyetur komandantin e Istogut.

Ndërsa, e pyetur nëse kishte njohuri se kush ishte komandanti i Istogut, dëshmitarja theksoi se i kujtohet vetëm mbiemri.

“Komandanti i Istogut, Pantiqi, emri s’po më kujtohet, por Pantiq e përmendnin”, tha Musaj.

Sipas aktakuzës së ngritur më 1 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ish-kryeshef i stacionit policor në Istog, Momir Pantiq dhe ish-polici Zharko Zariq, ngarkohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.

Sipas aktakuzës, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, më datën 19 maj 1999 në fshatin Dubravë, saktësisht në burgun e Dubravës pas bombardimeve të NATO-s ku si pasojë kishin mbetur të vrarë 3 të burgosur shqiptarë, Pantiq si kryeshef i stacionit policor bashkë me forcat policore serbe kishin shkuar për të marrë kontrollin e situatës dhe pasi pushuan bombardimet në përbërje edhe të gardianëve kanë hyrë në dhomat e të burgosurve dhe kanë ushtruar dhunë sistematike, duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.

Në aktakuzë thuhet se bombardimet e NATO-s kanë vazhduar edhe më 21 maj, ku mbetën të vrarë 18 të burgosur shqiptarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Ndërsa, një ditë pas në mëngjes gardianët, të burgosurit, serbë të armatosur bashkë me forcat policore dhe Njësitë Speciale të cilët gjendeshin nën komandën e Stacionit Policor në Istog, fillimisht i kanë mbledhur të burgosurit shqiptarë në fushën e sportit dhe më pas, siç thuhet në aktakuzë filluan të gjuajnë me armë zjarri të llojeve të ndryshme, kurse nga mbrapa murit të burgut kanë gjuajtur me bomba në drejtim të burgosurve shqiptarë.