Arrestimi i “Mossit”, reperi po dyshohet për tri vepra penale

Gramoz Krasniqi i njohur me emrin artistik Mossi dhe dy të dyshuar tjerë janë ndaluar nën dyshimin për rrahjen e gazetarit Burim Pacolli.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, ka konfirmuar arrestimin e të dyshuarve, teksa ka dhënë detaje lidhur mbi dyshimet që rëndojnë ndaj Mossit.

Shala tha se të pandehurit dyshohen për tri vepra penale “Lëndim i lehtë trupor”, “Kanosje” dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”.

“Prokurori i shtetit në koordinim të ngushtë Policinë e Kosovës pas hetimeve intensive kanë ndaluar tre (3) persona, një prej tyre është edhe reperi Mossi për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” sipas nenit 185 të KPRK-së, “Kanosje” sipas nenit 181 të KPRK-së, dhe veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” në bazë të nenit 269 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë Shala.

Gazetari Burim Pacolli ishte sulmuar pasditen e së hënës.

Sulmi ishte dënuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ku i është bërë thirrje Policisë për ndërmarrjen e veprimeve me qëllim të arrestimit të autorëve.