“Nga Berlusconi te Galliani, mjeshtra të mëdhenj jete. Milani do të mbetet gjithmonë i veçantë”

Lidhja mes Ricardo Kaká dhe Milanit nuk është prishur kurrë. Braziliani, në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, rikujtoi disa etapa të karrierës dhe ndikimin e Milanit pas tërheqjes nga futbolli:

“Kam pasur mjeshtra të mirë jete; Berlusconi, Galliani, Braida, Leonardo, pa harruar Florentino Pérez në Madrid. Si lojtar vëzhgoja mënyrën e tyre të punës. Sot merrem me marketing sportiv dhe do të shohim çfarë do të ndodhë në vitet e ardhshme. Milani? Marrëdhënia me këtë klub ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e veçantë për mua”.

Ai foli edhe për futbollin italian dhe magjinë e derbeve: “Futbolli italian është ende konkurrues, por niveli nuk është më si dikur. Dikur ishte liga më e rëndësishme në botë, tani është Premier League”.

Sa iu përket sfidave që e kanë shënjuar, “derbi i Milanos është nga ndeshjet më të bukura për t’u luajtur dhe parë. Krahasimi me derbin e Madridit është i vështirë; gjithë qyteti flet para, gjatë dhe pas ndeshjes. Nëse fiton, je mbret; nëse humb e ndjen peshën për ditë të tëra”.

Ai ruan lidhje të forta edhe me ish-shokët: “Takova Maldinin në Dubai për Vitin e Ri, ndjek Gattuson me kombëtaren, flas me Pirlo, Sheva dhe Seedorf”.

 

The post  “Nga Berlusconi te Galliani, mjeshtra të mëdhenj jete. Milani do të mbetet gjithmonë i veçantë” appeared first on Telesport.