Sektori minerar prioritet strategjik, Kusari konfirmon mbështetjen e Kanadasë dhe SHBA

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se qeveria e Kosovës po punon në forcimin e bashkëpunimit me kompani dhe agjenci nga Kanadaja dhe SHBA-ja, për të zhvilluar sektorin minerar.

Kusari-Lila, e shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, zhvilloi një numër takimesh në Kanada, duke vizituar Shoqatën e Shpikësve dhe Zhvilluesve të Kanadasë, si dhe me Korporatën Komerciale Kanadeze, shkruan IndeksOnline.

“Zhvillimi i sektorit minerar në këtë kohë të ndryshimeve të shpejta gjeopolitike kërkon fokus dhe kritere të qarta të partneritetit me vendet mike dhe demokratike, qëndrueshmëri dhe parime të forta të mbrojtjes mjedisore dhe, mbi të gjitha, siguri të zinxhirit të furnizimit, nga ekstraktimi deri te industria përpunuese” shkroi Kusari-Lila.

Sipas saj, Kosova gëzon mbështetjen e dy grupeve më të mëdha politike në Kanada – Liberalëve dhe Konservatorëve.

“Takimet me bizneset amerikane në këtë ngjarje përbëjnë një shans ideal për thellimin e bashkëpunimit ekonomik me SHBA-në dhe Kanadanë në këtë sektor strategjik për vendin tonë”, shtoi ajo.