Në kohën kur institucionet e vendit tashmë janë të konstituuara dhe qeveria në funksion, mundësia për shkuarje sërish në zgjedhje po konsiderohet nga njohës të proceseve zgjedhore si e panevojshme dhe me kosto të lartë për buxhetin e shtetit.
Ky skenar është riaktualizuar kryesisht për shkak të vështirësive në zgjedhjen e presidentit, por njohësit e procesit zgjedhor paralajmërojnë se një proces i ri zgjedhor nuk do të sjellë ndryshime të mëdha në konfigurimin politik dhe për më tepër, do të ngarkonte qeverinë dhe qytetarët me shpenzime të konsiderueshme buxhetore.
Për ta, zgjidhja duhet kërkuar brenda mekanizmave ekzistues institucional, pa u kthyer në një proces që ata e shohin më shumë barrë sesa zgjidhje.
E shkuarjen në zgjedhje të reja të pamundur nuk e shohin as njohësit e çështjeve politike, pasi që sipas tyre VV s’ka interesim për të ri-kandiduar Vjosa Osmanin për Presidente, ndërkaq emrat e tjerë që do të propozoheshin nga LVV shihen si të pamundur për t’u zgjedhur President.
Ish-kryetari i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, ka folur për një shkuarje eventuale të vendit në zgjedhje të reja, duke e cilësuar një veprim të tillë si të panevojshëm dhe me kosto të lartë për buxhetin e shtetit.
Baraliu thekson se organizimi i zgjedhjeve përbën barrë të konsiderueshme financiare dhe se një vendim i tillë nuk duhet të merret pa u shteruar të gjitha mundësitë politike brenda institucioneve ekzistuese.
“Këto duan buxhet të mëdha sepse kushtojnë shumë. Shpenzime të paarsyeshme. Pse të shkohet në zgjedhje kur është në pyetje e që partitë politike munden me i zgjidhë problemet mes vete. E kanë konstituuar kuvendin, e kanë formuar qeverinë. Është veprim teknik-procedural që duhet bëhet për aq sa merr kohë votimi kaq”, është shprehur ai.
Baraliu ka shprehur kritika të ashpra ndaj klasës politike, duke e akuzuar për mungesë serioziteti dhe përgjegjësie në raport me interesin publik.
“Në asnjë pikëpamje nuk duhet lejohet kjo klasë jo-serioze, e papërgjegjshme, kalkulative, që kalkulon për interesa politike e partiake dhe zgjedhore, në dëm të çdo gjëje tjetër e pa i llogaritur obligimet ndaj qytetarëve. Kaq shumë luftëra kemi në botë e këta bëjnë beteja politike mes vete”, ka deklaruar ai.
Ish-anëtari i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Blerim Burjani, ka komentuar mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja në vend, duke e cilësuar një proces të vështirë, të komplikuar dhe me kosto të konsiderueshme për buxhetin e shtetit.
“Është e vështirë dhe është proces i komplikuar që të shkohet përseri në zgjedhje sepse aty pastaj kërkohet plani operativ zgjedhor nga KQZ dhe kërkohet plan urgjent brenda 45 ditëve me procedura të shkurtuara dhe thjeshtëzuara dhe buxheti mund të mbetët prap i njëjtë me atë që është organizuar herën e kaluara, pra rreth 8 milion euro”, thotë ai.
Burjani shton se procesi mbetet i rëndë dhe se nuk garanton ndryshime të konsiderueshme në rezultatet politike.
“Kjo është e rëndë, e vështirë dhe se s’ka rezultat tjetër edhe nëse fiton diçka, Kurti nuk ka çka fiton mbi 51%’’, shtoi tutje Burjani.
Ai thekson rëndësinë e respektimit të Kushtetutës dhe të konsensusit demokratik.
“Ne kemi kushtetutë të qartë që kërkohet konsensus demokratik dhe nëse s’je gati me bërë konsensus për qeverisje atëherë s’ke çka. Me këtë kushtetutë, sa më parë që VV vetëdijesohet, aq më mirë do i ketë punët’’, deklaroi Burjani.
Burjani kritikoi edhe mënyrën se si po sillet Vetëvendosje në këtë proces.
“Kjo si ka nisur VV i bie jo pjekuri demokratike dhe jo e interesuar për të zhvilluar shtetin dhe institucionet, edhe pse përgjegjësia është e të gjithëve”, tha ai.
Analisti politik, Arton Demhasaj ka folur lidhur me zhvillimet e fundit rreth çështjes së zgjedhjes së presidentit, duke thënë nëse LVV zyrtarisht e kandidon Glauk Konjufcan për president dhe PDK-ja paraqet një kandidat të saj, atëherë gara mund të zhvillohet mes këtyre dy emrave.
Ai ka theksuar se gjithçka varet nga marrëveshjet politike.
Sipas analistit, mungesa e konsensusit ndërmjet partive politike mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve.
“Nëse është zyrtare që LVV ta kandidoj Konjufcën për president dhe nëse PDK do të ketë një kandidat mund të shkohet me këta dy kandidat. Seancën e parë se mbërrin askush mbi 80 vota as në të dytën e tretën cili do që i merr 61 vota mund të zgjidhet. Nëse PDK dhe LVV bëjnë marrëveshje po por nëse LDK, PDK, AAK nuk duan ta bëjnë kuorumin dhe dështojnë kandidaturën e LVV dhe vendi shkon në zgjedhje”, ka thënë Demhasaj./FrontOnline.









