Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka reaguar lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, duke theksuar se partia që ka shumicën në Kuvend ka përgjegjësi kushtetuese për të arritur konsensus para se vendi të shkojë në votim.
Përmes një postimi në Facebook, Behrami ka deklaruar se përgjegjësia bie mbi subjektin që udhëheq me shumicën parlamentare.
“Para se me shku me votu, partia që ka shumicën në Parlamentin e Kosovës e ka detyrim kushtetues me arrit konsensus për emrin e Presidentit të Kosovës”, ka shkruar ai.
Ai ka kritikuar partinë në pushtet, duke e akuzuar për shkelje të Kushtetutës dhe mungesë kredibiliteti për të folur për rend dhe ligj.
“Një parti që ka shkelur më shpesh Kushtetutën sesa derën e Shtëpisë së Bardhë nuk mund të mbajë ligjërime kushtetuese si dhe për rend dhe ligj!”, është shprehur Behrami.
Në vijim, ai ka shtuar se, sipas tij, përvoja e kësaj partie lidhet me veprime që cenojnë rendin kushtetues.
“Ata mund të na ligjërojnë vetëm për përmbysje të rendit kushtetues, për dhunën politike, hedhjen e gazit lotsjellës!”, ka theksuar Behrami.









