Njësia Rajonale e Trafikut në Prishtinë ka intensifikuar aktivitetet në terren me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në komunikacionin rrugor.
Sipas njoftimit të Policia e Kosovës, plani operativ ka nisur në Bresje të Fushë Kosovës dhe është fokusuar në evidentimin e shkeljeve si mospërfillja e semaforëve dhe përdorimi i telefonit gjatë ngasjes.
Përveç pikave të kontrollit, në lokacione të tjera janë angazhuar edhe patrulla me vetura inteligjente për identifikimin e kundërvajtjeve në trafik.
Gjatë ditës së djeshme, zyrtarët e Njësitit Rajonal të Trafikut në Prishtinë kanë shqiptuar 226 tiketa për kundërvajtje të ndryshme, prej të cilave 64 vetëm në Bresje. Po ashtu, ndaj 11 shoferëve është shqiptuar masa e konfiskimit të përkohshëm të patentëshoferit për shkelje të rënda të rregullave të trafikut.
Njësia Rajonale e Trafikut u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, me qëllim ruajtjen e jetës dhe rritjen e sigurisë për të gjithë.









