Në orët e fundit qarkulloi lajmi, i përgënjeshtruar më pas, se Mehdi Taremi do të ishte gati të merrte armët dhe të regjistrohej në ushtri për të mbrojtur Iranin, i bombarduar së fundi nga SHBA dhe Izraeli. Madje u pretendua se kishte njoftuar për këtë edhe Olympiacos, klubin që zotëron kartonin e tij.
Lajmi u përgënjeshtrua fillimisht nga agjenti i lojtarit, Federico Pastorello, i cili deklaroi se komunikatat e atribuara futbollistit nuk pasqyrojnë realitetin dhe se vetë Taremi është plotësisht i përqendruar te puna e tij në Athinë.
Për të mbështetur këto deklarata ndërhyri edhe zv.presidenti i klubit grek, Konstantinos Karapapas, i cili në një “story” në Instagram shkroi: “Viktima e parë e luftës është gjithmonë e vërteta. Mos besoni lajmet e rreme dhe tregoni respekt si për sportistët, ashtu edhe për të gjithë njerëzit, vendet e të cilëve janë në flakë. Po flasim për një temë që prek çdo vend të botës dhe ndikon në të gjithë planetin.
P.S.: Fatkeqësisht askush nuk mund ta parandalojë atë që shkruan kushdo në mënyrë të rastësishme, as përhapjen e saj”.
The post Taremi, gati për luftë në Iran? Reagon Olympiacos: Mos besoni lajmet e rreme dhe tregoni respekt appeared first on Telesport.










