Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda, është mbajtur, seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të akuzuarit Sh.B., i ngarkuar me veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, “Mbajtje e paautorizuar e armëve” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.
Në seancën e mbajtur më 02.03.2026, ai nuk e pranoi fajësinë, kështu e ka bërë të ditur, zëdhënësja e gjykatës, Hateme Haxhaj, raporton KosovaPress.
“Meqenëse i pandehuri nuk e ka pranuar fajësinë për veprat penale sipas aktakuzës, Kryetari i trupit gjykues e ka njoftuar se brenda 30 ditëve nga dita e shqyrtimit fillestar mund të paraqes kundërshtimet ndaj provave të propozuara ose kërkesën për hedhjen e aktakuzës,” tha Haxhaj.
Ajo ka thënë se, masa e paraburgimit ndaj të pandehurit është caktuar në procedurë paraprake dhe vlen deri më 19 mars.
Prokuroria Themelore – Departamenti i Krimeve të Rënda kishte ngritur aktakuzë më 16 shkurt 2026 për veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë”, “Mbajtja e paautorizuar e armëve” dhe “Asgjësimi ose dëmtimi i pasurisë”.
Sipas aktakuzës, “Sh.B. ka tentuar të privojë nga jeta 16-vjeçaren E.V. dhe M.V., duke shtënë me pushkën gjysmë automatike në oborrin e shtëpisë së tij. Nga të shtënat, e mitura E.V. është plagosur në shpatullën e majtë dhe është dërguar për trajtim mjekësor, ku sipas mjekëve gjendja e saj është jashtë rrezikut për jetë”.
Policia kishte konfiskuar dhjetë fishekë dhe ka raportuar se predhat kanë dëmtuar një automjet në pronësi të I.B. dhe një dritare të banesës së pronarit L.Sh.
Ngjarja ishte raportuar më 27 nëntor 2025, kur një person dyshohet të ketë shtënë dy herë me armë zjarri ndaj një familjeje në Vushtrri, duke plagosur një vajzë të mitur.










