Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke komentuar operacionin e policisë në veri, ka deklaruar se askush nuk do të shpëtojë nga dora e ligjit, përfshirë edhe ata që kanë mbajtur uniformë e poste zyrtare të shtetit të Kosovës.
Kreu i parlamentit ka porositur komunitetin serb në veri për vetëpërmbajtje dhe të mos bien pre e propagandës.
Postimi i plotë i Veselit në Facebook
“Nuk ka objektiv më të rëndësishëm për shtetin sesa garantimi i sundimit të ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Askush nuk do të shpëtoj nga dora e ligjit, përfshi ata njerëz që kanë abuzuar duke mbajtur uniformë e poste zyrtare të shtetit të Kosovës. Përgëzoj policët për kurajën dhe profesionalizmin e dëshmuar. Shpreh solidaritetin për policët e plagosur duke iu dëshiruar një shërim sa më të shpejtë. U bëj thirrje bashkëqytetarëve tanë të komunitetit serb, që të vetë-përmbahen, të ruajnë qetësinë si dhe mos të bien pre e propagandës që synon të instrumentalizoj për qëllime politike një aksion të rendit publik. Përpjekjet për të vendosur rendin dhe ligjin, janë pikësëpari në shërbim të tyre, sepse ata, për një kohë të gjatë, janë ndjerë të kërcënuar e prekur nga prania e krimit të organizuar. Unë i siguroj se, Republika e Kosovës, është shtet i të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim etnie e feje dhe mbetet e angazhuar seriozisht për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e të gjithë qytetarëve të saj kudo ku jetojnë”.