Gjykata e Apelit ka vendosur ta rikthejë në rigjykim çështjen ndaj Çedomir Aksiqit, i cili ishte dënuar në mungesë me 15 vjet burgim për krime lufte të kryera gjatë periudhës janar–maj 1999 në fshatrat e Komunës së Shtimes.
Sipas njoftimit, Departamenti Special i Apelit ka aprovuar ankesën e mbrojtjes, duke e shfuqizuar aktgjykimin e shkallës së parë të nxjerrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe duke e kthyer lëndën për rishqyrtim dhe vendimmarrje të re.
Në arsyetimin e tij, Apeli ka vlerësuar se gjatë procedurës janë evidentuar shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës penale. Sipas këtij konstatimi, procesi ishte zhvilluar pa u bërë përpjekje të mjaftueshme për ta njoftuar të akuzuarin për shqyrtimin gjyqësor dhe për të siguruar praninë e tij në seancë.
“Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special, duke vepruar sipas detyrës zyrtare në kuptim të nenit 394 paragrafi 1 të KPP-së, ka anuluar aktgjykimin e lartcekur, duke e kthyer çështjen në rigjykim. Kolegji i kësaj gjykate ka gjetur se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 paragrafi 1 nënparagrafi 1.3 të KPP-së, pasi që gjykimi është mbajtur në mungesë të të akuzuarit pa u përmbushur kushtet ligjore të përcaktuara në nenin 303 paragrafët 7 dhe 8 të KPP-së, ngase, sipas vlerësimit të kolegjit, gjykimi në mungesë-shqyrtimi gjyqësor është zhvilluar pa u përmbushur kushtet ligjore, përkatësisht pa u ndërmarrë përpjekje të arsyeshme për njoftimin e të akuzuarit për shqyrtimin gjyqësor dhe për sigurimin e pranisë së tij”.
“Kolegji ka gjetur se gjykata e shkallës së parë nuk ka zbatuar drejt nenin 303 paragrafi 8 të KPP-së, kur ka mbajtur gjykimin në mungesë të të akuzuarit duke konstatuar se janë përmbushur kushtet për zhvillimin e tij, pasi nga shkresat e lëndës, përveç mungesës së provave që do të dëshmonin publikimin e ftesës për seancë dhe të aktakuzës, rezulton se gjykata e shkallës së parë kishte anashkaluar tërësisht një nga kushtet kumulative ligjore të përcaktuara me këtë dispozitë, përkatësisht zhvillimin e një fushate informative të plotë, e cila paraqet parakusht të domosdoshëm për konstatimin e përmbushjes së standardit ligjor për mbajtjen e gjykimit në mungesë të të akuzuarit”.










