Çmimet e naftës me pakicë në Kosovë kanë shënuar rritje si pasojë e zhvillimeve në Lindjen e Mesme, e cila ka shkundur tregjet globale të naftës.
Një prej arsyeve kyçe që ka ndikuar në ngritjen e çmimit të naftës së papërpunuar në botë janë sulmet ndaj anijeve transportuese të naftës në Ngushticën e Hormuzit.
Këto sulme janë kryer nga Republika Islamike e Iranit, e cila ka kryer disa sulme ndaj objektivave në mbarë Lindjen e Mesme si kundërpërgjigje ndaj sulmeve nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani përmendi të njëjtat arsye dhe bëri të ditur se kostoja për konsumatorët është rritur.
“Çmimet aktuale në kosovë janë Diesel: 1.18€ deri 1.25 €, ndërsa Benzin: 1.17 € deri 1.24€”, tha Berjani.
Sa i përket tregjeve ndërkombëtare, pak para orës shtatë të mëngjesit, nafta e papërpunuar Brent ishte për tetë për qind më shtrenjtë për barelë, derisa nafta e tregtuar në Shtetet e Bashkuara ka shënuar ngritje prej 7.6 %.










