Katari pezullon aktivitetet sportive, rrezikohet ‘Finalissima’ Spanjë-Argjentinë

‘Finalissima’, ndeshja e organizuar nga FIFA mes Spanjës dhe Argjentinës, kampione e Europës dhe e Amerikës së Jugut, e cila ishte planifikuar për më 27 mars në Katar, është në rrezik për shkak të luftës në Lindjen e Mesme. Konflikti në rajon, pas sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit dhe hakmarrjes së Iranit ndaj vendeve me baza amerikane, detyroi qeverinë e Katarit të ndalojë të gjitha aktivitetet sportive.

Ndalimi përfshin edhe dy ndeshjet e skuadrës së Luis De la Fuente në Katar, ‘Finalissima’ dhe një miqësore kundër Egjiptit tri ditë më vonë. Janë ndalur gjithashtu ndeshjet Arabia Saudite–Egjipt, Katar–Serbi, Serbi–Arabia Saudite dhe Katar–Argjentinë. Janë pezulluar të gjitha kampionatet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në një komunikatë, Federata e Futbollit të Katarit njoftoi se do të publikojë datat e reja, por gjithçka varet nga zhvillimi i konfliktit, që ka sjellë edhe mbylljen e hapësirës ajrore të Katarit. Federatat e Spanjës dhe Argjentinës presin vendime, pasi datat e fundit të marsit janë të vetmet të disponueshme para Botërorit në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

The post Katari pezullon aktivitetet sportive, rrezikohet ‘Finalissima’ Spanjë-Argjentinë appeared first on Telesport.