Arsenal ka fituar 2-1 në derbin e madh londinez ndaj Chelsea-t, të luajtur në “Emirates”, i vlefshëm për javën e 28-të. Supersfida u zhbllokua në minutën e 20-të. Bukayo Saka kroson nga goditja e këndit, Gabriel pason me kokë për William Saliba, francezi e shtyn topin në rrjetë. Goli i barazimit për “Blutë” do të vinte në minutat shtesë në fund të pjesës së parë, ku pas krosimit të Reece James ishte Piero Hincapie, që e dërgoi në mënyrë të pafat topin në portën e tij. Pjesa e parë mbyllet 1-1.
Në minutën e 66-të, Arsenal gjen sërish golin e avantazhit, sërish erdhi nga goditja e këndit. Kroson Declan Rice, Jurrien Timber e dërgon në rrjetë. Arsenal tani ka 16 gola që nisin nga goditjet nga këndi këtë sezon të Premier League, duke barazuar rekordin historik. Por, “Topçinjtë” kanë edhe 9 ndeshje të tjera, për ta kaluar këtë shifër.
Në minutën e 70-të, Chelsea mbetet me një lojtar më pak, pas kartonit të dytë të verdhë të Pedro Neto, brenda tri minutave. Rezultati nuk ndryshoi deri në fund. Arsenal fiton 2-1 dhe ruan distancën me 5 pikë nga Man. City i vendit të dytë, vetëm se londinezët kanë një ndeshje më shumë.
Chelsea rrezikon shumë të mbetet jashtë zonës së Champions League, pasi aktualisht renditet në vendin e gjashtë me 45 pikë.
The post Arsenal fiton derbin ndaj Chelsea-t, falë goditjeve nga këndi dhe ruan diferencën nga City. “Blutë” rrezikojnë të mbeten jashtë Champions-it (video) appeared first on Telesport.










