Bayern Munich ka fituar “Der Klassiker”, duke mposhtur Borussia Dortmundin 2-3 në sfidën e luajtur në “Signal Iduna Park”. Me këtë fitore, Bayern e çon në 11 pikë diferencën nga vendi i dytë që mbahet pikërisht nga Dortmund dhe mbyll praktikisht garën për titull që në javën e 24-të.
Në minutën e 20-të, Nico Schlotterbeck bëri një ndërhyrje kafshërore ndaj Josip Stanisic, por mbrojtësi i Dortmundit u ndëshkua vetëm me karton të verdhë. Në minutën e 27-të, Schlotterbeck bëhet sërish protagonist, këtë herë duke zhbllokuar shifrat dhe duke shënuar me kokë, pas krosimit të Daniel Svensson nga goditja e dënimit. Në fund të pjesës së parë, Dortmund humb kapitenin Emre Can, i cili largohet nga fusha mes lotësh, i dëmtuar.
Pjesa e parë mbyllet 1-0 për verdhezinjtë. Bayern e nisi shumë mirë pjesën e dytë, duke gjetur golin e barazimit në minutën e 52-të, pas një aksioni të gjatë dhe pasimit perfekt të Joshua Kimmich për Serge Gnabry, i cili asistoi në fund për Harry Kane. Anglezi dërgon topin në rrjetë dhe barazon shifrat, 1-1.
Në minutën e 69-të, Schlotterbeck ndërhyn në mënyrë të gabuar ndaj Stanisic brenda në zonë, penallti për Bayern. Godet Harry Kane, topi përfundon në rrjetë. Në minutën e 83-të, ishte Daniel Svensson që dërgoi topin në rrjetë pas pasimit të Marcel Sabitzer. Megjithatë, bavarezët nuk u dorëzuan dhe gjetën golin e fitores së madhe në minutën e 87-të me Joshua Kimmich. Kapiteni ndoqi aksionin deri në fund dhe me një goditje të bukur brenda zonës, dërgoi topin në rrjetë. Rezultati final, 2-3.
The post Spektakël në “Der Klassiker”, Bayern Munich bën përmbysjen e madhe dhe siguron titullin që sot (video) appeared first on Telesport.










