Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e grupit multietnik, Emilija Rexhepi, ka konfirmuar se është takuar me presidenten Vjosa Osmani dhe se kanë diskutuar për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Duke shprehur mbështetje për një mandat të dytë për Osmanin në krye të shtetit, Rexhepi ka thënë se presin që propozimi për president të vijë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti.
Osmani deri tani ka shfaqur ambiciet për një mandat tjetër pesëvjeçar, mirëpo ende nuk ka njoftim për mbledhjen e 30 nënshkrimeve të deputetëve, që kërkohet për kandidaturë zyrtare.
“Ne si grup multietnik jemi tetë deputetë, tash nëntë, edhe Veton Berisha është me neve. Ne jemi në koalicion me Vetëvendosjen. Ata si parti më e madhe në Kuvend me 57 deputetë, kanë forcë për me votu një kandidat me neve për president. Unë fola me presidenten zonja Osmani, unë kam respekt të madh. Ama duhet propozimi prej Vetëvendosjes. Edhe ne i presim këto ditë kush është kandidat edhe pastaj me pa qysh votojmë… Ajo ka votën time, sepse për mua zonja Osmani ka punuar një punë shumë të mirë, një PR shumë të madhe për Kosovën jashtë vendit. Edhe jemi bashkë moti, ndoshta 20 vjet jemi këtu në Kuvend. Ka qenë deputete përpara, kemi punuar shumë bashkë”, ka thënë ajo për “KosovaPress”.
Rexhepi ka thënë se për çështjen e presidentit janë takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti, mirëpo nuk kanë folur për emra të përveçëm se kush duhet të jetë kandidat apo kandidate.
“Kemi folur edhe me kryeministrin Kurti. Ka qenë në një iftar me neve në Prizren para dy netëve dhe e presim çka do të vendosë Vetëvendosje si partia e madhe… Jo jo hala, jo hala s’kemi folur as për një emër”, ka thënë deputetja nga komuniteti boshnjak.
Rexhepi ka theksuar nevojën që të arrihet një konsensus mes partive për të shmangur zgjedhjet.
“Po ju e dini, sipas Kushtetutës, na kemi nevojë më shumë se 80 vota, më shumë se 80 deputetë me qenë brenda sallës në rundin e parë për me startu të votohet një kandidat për president. E presim këto ditë, ndoshta kryeministri Kurti me fol me krejt përfaqësuesit e opozitës… Ka filluar disa takime, kemi edhe disa ditë e presim”, ka thënë tutje deputetja.
Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon më 4 prill. Sipas Kushtetutës së Kosovës, një president i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, që do të thotë deri më 4 mars.
Në tentim për të gjetur një zgjidhje për presidentin, gjatë kësaj jave ka pasur takime ndërmjet kryeministrit Albin Kurti me liderët e PDK-së dhe LDK-së. Janë paralajmëruar edhe takime të tjera deri në përfundim të afatit për zgjedhjen e të parit të vendit.
Deri tani, presidentja aktuale Vjosa Osmani ka deklaruar ambiciet për një mandat të dytë në krye të vendit. Njëjtë ka bërë edhe akademik Arsim Bajrami. Për të zyrtarizuar kandidaturën, secili duhet t’i ketë tridhjetë nënshkrime të deputetëve.
Në anën tjetër, megjithëse janë përmendur për çështjen e presidentit, anëtarë të familjes Jashari kanë deklaruar se nuk janë të interesuar për këtë post.










