Javier Tebas, president i La Liga-s, nuk kurseu kritikat ndaj klubeve me pronësi shtetërore, sidomos ndaj PSG dhe presidentit të parizienëve, Nasser Al-Khelaïfi. Gjatë një eventi të organizuar nga “Financial Times”, Tebas u shpreh: “Për mua është një shaka që PSG dhe Al-Khelaïfi të jenë në krye të ‘fair play financiar’.
Nuk besoj se është ideale. Është e vërtetë që kohët e fundit PSG ka shpenzuar më me masë, por në 10 vitet e fundit ka bërë shkelje të vazhdueshme financiare. Tani që po veprojnë normalisht, ata duhet t’i udhëheqin rregullat? Jo, nuk është e mundur”.
Ai mbështeti modelin ku klubet jetojnë vetëm nga të ardhurat e tyre, pa mbështetje nga investime të jashtme. Sipas Tebas, skuadra si PSG, me pronarë shtetërorë dhe burime praktikisht të pakufizuara, krijojnë avantazh të padrejtë konkurrues dhe kërcënojnë ekuilibrin e futbollit europian. Ai theksoi se për të mbrojtur integritetin dhe barazinë në sport, rregullat duhet të respektohen nga të gjithë pa përjashtime.
The post Tebas sulmon PSG: Në krye të “fair play financiar” të UEFA-s? Ju lutem mos bëni shaka… appeared first on Telesport.










