Raporti i UEFA-s / Barcelona, lider në Europë për shitjen e fanellave dhe “merchandising”

Raporti financiar i UEFA-s për vitin 2025 konfirmon përmirësimin ekonomik të Barcelonës. Klubi katalanas kryeson në Europë për të ardhurat nga shitja e fanellave dhe “merchandising” me 277 milionë euro, duke lënë pas Real Madridin (231) dhe Bayern Munich (189). Pavarësisht largimit të Lionel Messit prej më shumë se 4 vitesh, ndikimi i yjeve të rinj, veçanërisht Lamine Yamal me numrin 10, ka rritur ndjeshëm interesin e tifozëve.

Në të ardhurat totale, Barcelona renditet e dyta me 989 milionë euro, pas Real Madridit që kryeson me 1.184 miliardë. Pas tyre vijnë Bayern Munich (861), Manchester City (855), Liverpool (852) dhe PSG (837). Në të ardhurat komerciale, Barça është sërish e dyta me 499 milionë, vetëm pas Real Madridit (568).

Të ardhurat nga stadiumi janë ndikuar nga zhvendosja në Montjuïc dhe kapaciteti i reduktuar i “Spotify Camp Nou”, duke e renditur klubin katalanas të pestin me 150 milionë euro. Ndërkohë, masa ‘salariale’ prej 551 milionë euro është e dyta më e larta në Europë, pas Manchester City (557).

 

The post Raporti i UEFA-s / Barcelona, lider në Europë për shitjen e fanellave dhe “merchandising” appeared first on Telesport.