Comolli: Kartoni i kuq ndaj Kelly i pabesueshëm, vazhdojmë përpara me Spallettin

Plaga është ende e freskët për Juventusin. Administratori Damien Comolli nuk e ka kapërdirë eliminimin dramatik ndaj Galatasaray, pasi skuadra e Spallettit, edhe pse me 10 lojtarë që nga fillimi i pjesës së dytë, ishte pranë një përmbysjeje historike duke e rikthyer rezultatin pas 5-3 në Stamboll. Duke folur në “Financial Times Business of Football Summit” në Londër, ai tha: “Nuk jam rikuperuar ende nga ky eliminim dhe mendoj se do të më duhen vite për ta bërë”.

Ai kritikoi ashpër arbitrin Pinheiro: “Do përpiqem të mos pezullohem edhe nga UEFA… Vendimi i tij ishte shumë zhgënjyes. Ai kishte gjykuar vetëm 10 ndeshje Champions-i dhe pyes si mund t’i besohej një sfidë kaq e rëndësishme. Pas atij kartoni të kuq të pabesueshëm dolëm jashtë Champions-it”.

Comolli falënderoi tifozët: “Kanë qenë të jashtëzakonshëm…, është hera e parë që shoh një stadium që duartroket edhe pas një goli të pësuar”. Për të ardhmen theksoi: “Na duhet vazhdimësi. Duhet i njëjti trajner, strategji dhe stil loje”. Ai konfirmoi besimin te Spalletti dhe shtoi: “Elkann ka qenë i qartë; nuk do ta shesë kurrë klubin”.

The post Comolli: Kartoni i kuq ndaj Kelly i pabesueshëm, vazhdojmë përpara me Spallettin appeared first on Telesport.