A po bëhet gati Klopp për… Real Madridin? Nga Austria flasin për “dritë jeshile”, “Red Bull” e mohon

Në Austri po qarkullojnë zëra për një ndryshim të mundshëm në të ardhmen e Jürgen Klopp te “Red Bull GmbH”. Sipas gazetës “Salzburger Nachrichten”, trajneri gjerman, 58 vjeç, mund të largohet këtë verë nga roli i drejtuesit global të departamentit të futbollit, vetëm një vit pasi mori detyrën. Misioni i tij ishte të zhvillonte klubet e grupit dhe të synonte trofe, por rezultatet nuk i kanë përmbushur plotësisht pritshmëritë e brendshme.

Megjithatë, CEO i “Red Bull”, Oliver Mintzlaff, reagoi menjëherë: “Është një absurditet ky lajm, plotësisht i pabazë. Jemi jashtëzakonisht të kënaqur me punën e Klopp. Ai është në kontakt të vazhdueshëm me trajnerët dhe drejtorët sportivë, po e zhvillon në mënyrë të qëndrueshme filozofinë tonë”.

Sipas të njëjtit burim, nëse Klopp dëshiron të rikthehet në stol, “Red Bull” nuk do ta pengonte. Si zëvendësues përflitet Oliver Glasner, aktualisht te Crystal Palace. Kontrata e Klopp zgjat deri më 2029, por emri i tij vazhdon të lidhet me Real Madridin si projekt afatgjatë.

The post A po bëhet gati Klopp për… Real Madridin? Nga Austria flasin për “dritë jeshile”, “Red Bull” e mohon appeared first on Telesport.