Rifat Jashari ishte prezent në shënimin e përvjetorit të parë të rënies së Sali Çekajt, të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjermani.
Fotografinë nga ngjarja e ka publikuar Gani Geci, ish-deputeti dhe anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Geci, i cili ka lidhje familjare me Jasharajt, ka rrëfyer sesi Rifat Jashari kishte hapur zjarr ndaj policëve serbë gjatë rrethimit të Kullës së Jasharajve më 1991.
“Rifat Jashari ka qenë shtylla e Familjes Jashari, një njeri punëtor, i urtë dhe trim. Më 30 dhjetor 1991, kur u rrethua për herë të parë kulla e Shaban Jasharit – kullë të cilën e kishte ndërtuar Rifat Jashari duke punuar në Gjermani – ai ndodhej në shtëpi, në pushim për nder të Vitit të Ri”, ka shkruar Geci.
“Kur doli Rifati në lamë, dy policë i bënë “stoj”. Rifati hapi zjarr me një rafalë dhe, sipas lajmeve të Serbisë, plagosi dy policë serbë”.
Sot, Kosova feston Ditën e Veteranit çdo vit më 30 dhjetor, si shenjë nderimi për luftën e familjes Jashari.
“Me propozimin tim në Komisionin për Siguri në Kuvendin e Republikës së Kosovës, data 30.12 ka mbetur Dita e Veteranit. PDK dhe AAK kanë propozuar dy data të tjera: një në vitin 1995 dhe një me daljen e UÇK-së në skenë, në vitin 1997”, ka thënë Geci.










