Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri ka shprehur qëndrimin e kësaj partie për çështjen e presidentit apo presidentes, e për cka ka thënë se vendit nuk i bën nder emër i cili ka qenë i një anshëm, por nënvizon se janë të gatshëm edhe të qesin një emër nga PDK nëse është e nevojshme dhe u kërkohet.
Ai ka treguar parimet të cilat do të bënin që PDK të jap voton për pozitën e presidentit.
“Dikush që përfaqëson edhe pozitën edhe opozitën, por edhe qytetarët që realisht nuk e votojnë presidentin direkt. Dikush që ka reputacion e integritet vendor dhe ndërkombëtar dhe dikush që ka kontribute e është intelektual, që i bën nder edhe shtetit të Kosovës dhe qytetarëve. Vazhdojmë me mbet brenda këtyre qëndrimeve, në kuptim të asaj që me diskutu në parim dhe standard se kush do të duhej t’i plotësonte këto atribute për të qenë president i vendit. Ende nuk është faza që kemi folur për emra të përveçëm, nuk kemi fol as dje, s’po flasim as sot, por vullneti i PDK është me kontribu në interes të institucioneve të vendit dhe shoqërisë, por nëse nuk ka me u mujt me u gjet dikush dhe nëse s’ka me pas disponim prej forcës kryesore politike, PDK është e gatshme gjithashtu me shku në zgjedhje”, tha ai.
Por se a e voton PDK, Vjosa Osmani edhe për një mandat pesë vjeçar për të udhëhequr me Presidencë, Tahiri duke mos u lëshuar sic tha në emra të përveçëm, nënvizoi se vendit nuk i bën mirë dikush që ka pasë qasje të njëanshme.
“Nuk është që është diskut për marrëveshje politike, kjo çështje ka përfundu. Marrëveshje politike i kish ra kur është formu qeveria. PDK nuk është e interesuar për marrëveshje politike, por për me pas qasje proaktive, pozitive, mbështetëse për institucionet dhe mbështet një kandidat që plotëson këto standarde që i ceka. Nuk është se po du me u lëshu në emra të përveçëm, por mendoj që vendit nuk i bën nder një emër që ka pas qasje të njëanshme dje, dikush që përfaqëson veç një grup apo subjekt, por po flasim për dikë që është mbi partitë politike. Në këtë nivel jemi tu fol në parime dhe standarde, por nëse është e nevojshme dhe e arsyshme dhe kërkohet, padyshim që PDK do të nxjerrë edhe emra”, tha ai.










