Këshilli i Etikës së Universitetit të Prishtinës, profesorit Enver Hasani, i kishte shqiptuar vërejtje me shkrim dhe i ndalon atij të përfshihet në mentorim në të gjitha nivelet për një vit. Këtë vendim, Senati i UP-së, e miratoi më 20 shkurt 2026.
Lidhur me këtë, ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe profesori Hasani, në një intervistë për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se e gjitha është një fushatë e Rektorit të Universitetit, Arben Hajrullahu, e filluar qysh në 2024.
“Filloi fushatën si i çmendur, kishin kaluar çdo afat dhe tha me ja marrë tha gjithë titujt Enver Hasanit, kush është për, fitoi dy-tre vota sikur i çmendëm po flas është incizimi edhe tha po e bëjmë festë kombëtare 27 se ishte të nesërmen 28 nëntori”, ka thënë ai.
Hasani ka thënë se ky është misioni i rektorit, dhe do ndihej i turpëruar nëse do merrte ndonjë dhuratë apo mirënjohje nga ai.
“Më ka thirrë vazhdimisht në pritje të Universitetit asnjëherë s’kam shkuar, sepse është e turpshme unë jam ndje i turpëruar dhe nuk jam ndje mirë me disa raste kur rektorët s’kanë qenë në nivel por me ra në këtë “derexhe” është e papranueshme”, ka shtuar ai.
Sipas tij, ai është ndjerë i turpëruar edhe ku ka kuptuar që Dekani i Fakultetit Juridik, Avni Puka ka diplome false, për çka thotë se ka dëshmi.
“I kam të gjitha provat dhe kurrkush s’më ka thirrë. Unë i bëj apel prokurorisë, organit të akuzës që të më thërret dhe unë ja dëshmoj. Dhe unë kam prova që ai është avancuar në mënyrë tërësisht do të thotë me diplomë fals, me disertacion inekzistent të të ashtuquajturës “La Sapienza”, dhe nuk jam nuk jam ftuar. Kurse këtë tjetrën, në Juridik që e ka mbrojtë pjesën dërmuese ka plagjiat”, shtoi Hasani.
Ai ka thënë se gjitha është një agjendë nga rektori për të goditur atë, me urdhër të Kryeministrit Albin Kurti. Hasani ka shtuar se nuk ka folur deri tash, pasi nuk ka besuar që do shkojnë aq larg, duke thënë se edhe trajtimi i rastit të tij është jashtë çdo afati ligjor.
Profesori, vendimin ndaj tij e ka quajtur “shkarravinë”, ndërsa ka shtuar se kjo është përndjekje politike.
“Kush e njeh mirë periudhën e përndjekjes politike ose ne që kemi përjetuar komunizmin. Ideja ka qenë me ma mbyllë gojën. Do të thotë, zotëri Puka kur e zbulova që është ai që është dhe që pajtohen të gjithë kolegët e Fakultetit Juridik, në biseda private të gjithë asnjë dyshim askush nuk ka as për diplomën e parë as për të dytën. Ai mendonte që unë do të heshti edhe i nisi me procedurat krejtësisht në mënyrë kundërligjore”, ka shtuar Hasani.
Tutje, ai ka thënë se para dy jave, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, ka nxjerrë opinion ku tregohej se pjesëmarrja e rektorit Hakrullahu dhe rektorit Puka është në konflikt interesi, ndërsa shtoi se në mbledhjen e Senatit ku u votua për degradimin e tij, të dy kanë qëndruar në sallë.
“Po e kanë ditë që me dalë ata s’votojnë, i fitojnë tre-katër vota si çdo herë, sepse senatorët unë absolutisht nuk i fajësoj, ata kanë marrëdhënie biznesi i shantazhojnë me i kry ndonjë punë në rektorat. Kjo është vepër ekskluzive domethënë e Arbenit”, ka thënë tutje ai.










