Lionel Messi rikujtoi fillimet e tij te Barcelona, ku mbërriti në vitin 2000, vetëm 13 vjeç, dhe përjetoi vështirësi të mëdha në start: “Qëndrova 6 muaj pa luajtur për shkak të dokumenteve dhe kur luajta ndeshjen e parë u dëmtova në tibie, duke qëndruar 3 muaj jashtë”. Pas këtij fillimi të vështirë, rritja e tij ishte e shpejtë, deri te debutimi me ekipin e parë në tetor 2004 kundër Espanyol.
Messi foli edhe për Botërorin “Katar 2022”, duke theksuar se ndeshja ndaj Meksikës ndryshoi rrjedhën e turneut për Argjentinën, pas humbjes 2-1 me Arabinë Saudite: “Shkuam të luanim me frikë, sepse nëse humbnim ishim pothuajse të eliminuar”.
Goli i parë ishte momenti kyç: “Pas atij goli u çliruam dhe u rikthyem si në fillim”. Ai kujtoi edhe serinë prej 36 ndeshjesh pa humbje dhe shtoi: “U bëmë shumë të fortë, ai takim ishte vendimtar për grupin”.
Lionel Messi zbuloi se në vitet e para te Barcelona kishte një mundësi reale që të përfaqësonte kombëtaren e Spanjës. “Në një moment më erdhi mundësia, sepse unë tashmë luaja te Barcelona. Ma sugjeruan… dhe është normale, sepse iu ndodh shumë djemve, – shpjegoi argjentinasi, duke kujtuar se formimi i tij në ‘La Masia’ dhe rrugëtimi në ekipet zinxhir ia hapnin këtë derë. – Natyrisht, unë jam argjentinas, edhe pse u largova shumë i vogël drejt Barcelonës, ku kalova pjesën më të madhe karrierës me të rinjtë. Ekzistonte ajo mundësi dhe mund të kishte ndodhur”.
Megjithatë, Messi theksoi: “Dëshira ime ka qenë gjithmonë të luaj me Argjentinën”. Vendim që kulmoi me triumfin në Kupën e Botës “Katar 2022”.
The post Nga fillimet e vështira te Barça dhe triumfi në Botërorin e Katarit, rrëfehet Leo Messi appeared first on Telesport.










