Policia e Kosovës, përmes njësive të saj nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në koordinim me Prokuroria Themelore Ferizaj, ka zhvilluar veprime të veçanta hetimore lidhur me një rast të dyshuar për “marrje të ryshfetit” në Ferizaj.
Sipas policisë, si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore janë siguruar dëshmi të mjaftueshme që dy persona të dyshuar, meshkuj/kosovarë, kanë pranuar ryshfet në vlerë prej 400 euro. Dyshohet se paratë janë marrë me premtimin se do të përshpejtonin procesin e realizimit të një kërkese për furnizim që viktima kishte parashtruar.
Të dyshuarit, sipas hetimeve, paratë i kanë pranuar në zyrën e tyre, ndërsa shuma e njëjtë është gjetur dhe sekuestruar po në atë zyrë, tek njëri prej tyre.
Në prani të avokatëve mbrojtës, të dyshuarit janë intervistuar lidhur me veprën penale “Pranimi i Ryshfetit në Sektorin Privat”. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kompetent, është caktuar masa e ndalimit për ta.









