Zotëriu i Parë, Prindon Sadriu po lobon hapur dhe pa rezervë për një mandat të dytë të bashkëshortes së tij në krye të shtetit, duke e kthyer aktivitetin e saj diplomatik në argument politik për vazhdimësinë në detyrë.
Përmes postimeve në rrjete sociale, ai po tenton ta bindë opinionin se përfaqësimi ndërkombëtar i saj është arsye e mjaftueshme që ajo të marrë edhe një mandat tjetër.
Theksin e ka vendosur te takimet e Osmanit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka shpërndarë video nga vizita në Washington D.C., ku presidentja është takuar me figura të larta të administratës amerikane.
“Shumë të rralla janë rastet kur një lider shtetëror ka mundësinë të bisedojë me Presidentin dhe Zëvendëspresidentin e SHBA-ve, dhe të pritet zyrtarisht nga Sekretari Amerikan i Shtetit, të gjitha brenda një vizite të vetme. Për një shtet të vogël si Kosova, vizita e fundit e Presidentes në Washington D.C. ka një peshë diplomatike të jashtëzakonshme”, shkroi Sadriu.
Në mesin e pamjeve të publikuara janë edhe momentet kur presidenti amerikan Donald Trump përmend Kosovën gjatë fjalimit të tij.
Sipas Sadriut, fakti që Kosova u veçua dy herë nuk ishte rastësi, por një mesazh i qartë politik me domethënie për vendin.
Ai e ka interpretuar këtë si dëshmi të peshës që ka pasur përfaqësimi i Kosovës.
“Kur Presidenti Trump e veçoi Kosovën dy herë në fjalimin e tij, ai nuk e bëri rastësisht. Ishte qëndrim i artikuluar qartë dhe mesazh politik me domethënie për vendin tonë”, shkruan Sadriu më tej.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ditë më parë ka takuar krerët opozitarë, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovë, Bedri Hamza, si dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, me të cilët ka biseduar për çështjen e presidentit.
Sa i përket çështjes së presidentit, Kurti theksoi se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka një kandidat partiak për këtë post.
Kurti nuk e ka thënë troç nëse e përkrahin Vjosa Osmanin për presidente, por ka shtuar se nuk mund të mbledhin nënshkrime për asnjë meqë në rastin më të mirë mund të sigurojnë 66 vota, por që ky numër është larg numrit 80-të.
“Ne nuk kemi mbledhur nënshkrime për askënd për shkak se edhe në rast se i mbledhim mund të mbërrijmë në numrin 66, nuk e mbërrijmë dot, kot ne mund të nxjerrim kandidat, dy subjektet tjera thanë që nuk i kanë as 30 për nënshkrime. Ne mund të bëjmë dhe dy kandidat por 66 është shumë larg numrit 80. Ne nuk mund të nxjerrim tash kandidat, dhe është e dëmshme nëse nxerrim kandidat e ndërkohë që kemi ngelur te numri 66”, tha ai pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, ka deklaruar se kanë vendosur që të mos e propozojnë ndonjë emër të përveçëm për president. Ai ka thënë se këtë e kanë vendosur që të mos e mbështesin për muri opozitën.
Por që, sipas tij, ka “konsensus automatik” në shoqëri që presidenti të vijë nga familja Jashari.
Konjufca tha se anëtarë të familjes Jashari janë emrat e vetëm që kanë shkaktuar “pritje pozitive”.
“Ky është një konsensus i partive politike. Deri tash të vetmit emra që kanë shkaktuar automatikisht një pritje pozitive, një konsensus automatik në shoqërinë tonë, është një president nga radhët e familjes Jashari”, tha ai./Paparaci










