Komisioni Evropian ka njoftuar të mërkurën se do të kërkojë nga Këshilli autorizim për t’i hapur negociatat me gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, për të zgjeruar zonën për internet, thirrje e mesazhe telefonike falas për udhëtarët.
Zona roaming e Bashkimit Evropian ua mundëson përdoruesve të BE-së t’i qasen internetit, të bëjnë thirrje apo të dërgojnë mesazhe nga telefonat e tyre kur udhëtojnë brenda zonës së shteteve të BE-së, pa shpenzime shtesë.
Më 1 janar, kësaj iu bashkuan edhe Ukraina e Moldavia.
Po që se arrihet marrëveshja, “njerëzit që udhëtojnë mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të mund të bëjnë thirrje, çojnë mesazhe ose të përdorin internetin pa shpenzime shtesë për roaming”, thuhet në njoftim.
Megjithatë për këtë kërkohet kohë. Shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i përshtatin rregullat e roamingut me të BE-së. Negociatat për t’iu bashkuar zonës roaming të BE-së kërkon arritjen e marrëveshjeve bilaterale me secilin shtet, raporton Koha.
Disa operatorë të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor tashmë kanë reduktuar tarifat për udhëtarët, por këto mbesin në baza vullnetare dhe joobligative.
Tani Këshilli Evropian duhet ta miratojë mandatin e Komisionit para se të nisin negociatat bilaterale.
Shtetet që mund t’i bashkohen zonës së roamingut të BE-së janë Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia.
Roamingu është shërbimi që të lejon të përdorësh telefonin (thirrje, SMS dhe internet) jashtë rrjetit të operatorit tënd – zakonisht kur je jashtë shtetit.










