Zhgënjimet e Santosit, i eliminuar nga “Campeonato Paulista” nga modestët e Novorizontino, si dhe situata personale e Neymar Jr, që po rikuperohet nga një dëmtim dhe po përpiqet të rikthejë formën, nuk i kanë ndryshuar planet e trajnerit të Brazilit, Carlo Ancelotti, për Botërorin e verës së ardhshme. Italiani ka vendosur një afat për vendimin final, më të gjatë se për lojtarët e tjerë, sepse Neymar është Neymar.
Vendimi i parë i Ancelottit, sipas mediave braziliane, është të mos e ftojë Neymar për miqësoret e fundit, para listës përfundimtare të Botërorit. Fjala është për dy ndeshje të forta ndaj Francës dhe Kroacisë në mars, në SHBA. Megjithatë, stafi teknik i CBF do ta monitorojë lojtarin deri në fund të majit, sipas planit specifik të hartuar për të. Vetëm atëherë do të merret vendimi përfundimtar nëse Neymar do të jetë apo jo pjesë e Botërorit.
Ideja ishte ta vlerësonin në fushë, pas rikthimit nga dëmtimi në shkurt, duke parë ritmin dhe progresin me Santosin. Përvoja e tij nuk vihet në dyshim; e vetmja pikëpyetje mbetet gjendja fizike për objektivin madhor të Brazilit; fitimin e Botërorit 2026.
The post A do të jetë Neymar në Botërorin e kësaj vere? Ancelotti vendos një afat për vendimin appeared first on Telesport.









