Nga Endrit Kembaci*
“Po flasim për para, po flasim për emra…, POR ASGJË nuk e mund një ekip. Nëse ke ekip, i krijon probleme kujtdo. Nëse nuk ke ekip, nuk më interesojnë paratë e tua…” Këto fjalë të Thierry Henry pas suksesit të Bodo/Glimt ndaj Interit janë më shumë se një koment pas ndeshjes; në fakt janë diagnozë e futbollit modern.
Në një epokë ku merkatoja dominohet nga shifrat marramendëse, pagat milionëshe dhe marketingu global, shpesh harrohet elementi më bazik i këtij sporti; kolektivi. Futbolli nuk është sport individual i maskuar si lojë ekipi. Është pikërisht e kundërta. Talenti individual mund të fitojë një ndeshje, por vetëm struktura, sakrifica dhe besimi i përbashkët fitojnë beteja të gjata.
Bodo/Glimt nuk ka emrat më të mëdhenj, as buxhetin më të madh, por ka diçka që shumë gjigantë e kërkojnë më kot; identitet të qartë loje, lëvizje të sinkronizuara, frymë ekipore, kohezion dhe ndjenjë përgjegjësie kolektive. Çdo lojtar i ekipit norvegjez mbron për tjetrin, çdo aksion nisi nga ideja e përbashkët dhe jo nga egoja individuale.

Ky është paradoksi i futbollit modern; sa më shumë rriten investimet, aq më e vështirë bëhet ndërtimi i një grupi solid të vërtetë. Yjet shpesh bashkohen, por ekipi nuk lind automatikisht. PSG e yjeve e dëshmoi qartë këtë gjë, teksa me yje si Mbappe, Neymar dhe Messi në të njëjtin ekip, nuk e fitoi dot Champions-in. Sa ndryshoi qasje, me Luis Enrique që vendos grupin mbi individin, që stimulon dhe beson te të rinjtë e talentuar, u shpall kampion Europe.
Pra, kohezioni dhe loja ekipore nuk blihet me miliarda; ato ndërtohen me kohë, sakrificë dhe kulturë pune. Mesazhi i Henry është një kujtesë e fortë: futbolli vazhdon të shpërblejë ata që luajnë si “ne”, jo si “unë”. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse histori si kjo e Bodo/Glimt emocionojnë, ngaqë tregojnë se, pavarësisht milionave, zemra e lojës mbetet ende ekipi.
Konkluzioni? Në fund të fundit, futbolli gjithmonë rikthehet te thelbi i tij. Paratë krijojnë pritshmëri, emrat sjellin vëmendje, por vetëm ekipi garanton fitore të qëndrueshme. Kur 11 lojtarë mendojnë njësoj, vrapojnë për njëri-tjetrin dhe sakrifikojnë egon për fanellën, diferenca mes të mëdhenjve dhe “të vegjëlve” zhduket. Dhe ndoshta ky është mesazhi më i bukur; futbolli iu përket ende atyre që luajnë së bashku.
The post 11 lojtarë me “një zemër”; fryma ekipore mbetet arma më e fortë në futboll appeared first on Telesport.










