Një i mitur kanos me armë në mes të lokalit në Rahovec

Një incident serioz me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e së martës në Rahovec, ku një i mitur dyshohet se ka kanosur një person dhe ka shkrepur armën në afërsi të një lokali ku luhet bilardo.

Ngjarja ka ndodhur më 24.02.2026, rreth orës 20:00, në rrugën “Avdullah Bugari”. Sipas burimeve nga strukturat e afërta me hetimin, Policia është njoftuar se në një lokal ishte përdorur armë zjarri, çka ka bërë që patrullat të reagojnë menjëherë.

Në vendin e ngjarjes nuk është hasur i dyshuari, ndërsa është bërë sigurimi i zonës dhe janë ftuar njësitë relevante hetimore.

Viktima, Xh.H 37 vjeç, ka deklaruar se derisa ishte duke qëndruar në lokal, i dyshuari L.D 16 vjeç e ka ftuar të dalë jashtë. Sipas tij, pranë shkallëve, i dyshuari ka nxjerrë armën e zjarrit, mirëpo viktima ka arritur t’ia kapë armën dhe ta pengojë që ta drejtojë në drejtim të tij. Në atë moment arma është shkrepur dhe plumbi ka përfunduar në tokë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësiti i hetimeve dhe krimteknika e Stacionit Policor Rahovec, të cilët kanë kryer ekzaminimet përkatëse.

Lidhur me rastin është kontaktuar Prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar që të iniciohen veprat penale:

– Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve

– Kanosja

Po ashtu, me urdhër të Prokurorit, i dyshuari pritet të ndalohet për 24 orë.

Hetimet janë duke vazhduar.