Gjykata refuzon pranimin e fajësisë së të akuzuarit për kanosjen e gazetarit Adriatik Kelmendi

Në seancën fillestare të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Valton Hasani pranoi fajësinë për kanosjen e gazetarit Adriatik Kelmendi. Por, Gjykata ia refuzoi këtë pranim fajësie.

Fillimisht, prokurori i rastit Blerim Igrishta lexoi aktakuzën, e më pas i akuzuari Hasani u deklarua fajtor për veprën e cila i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Lidhur me pranimin e fajësisë, mbrojtësi i të akuzuarit Valton Hasani, avokati Gëzim Llulluni, tha se pranimi i fajësisë është bërë në përputhje me dispozitat ligjore dhe propozoi që të aprovohet nga Gjykata.

Ndërsa, prokurori Igrishta tha se pajtohet me pranimin e fajësisë, pasi që është në raport me dispozitat ligjore, me vullnet dhe pa presion, duke propozuar që Gjykata ta aprovojë këtë marrëveshje.

Më pas, gjykatësi i rastit, Blerim Gashi, refuzoi pranimin e fajësisë, pasi që vlerësoi se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për pranim të fajësisë.

Po ashtu, gjykatësi Gashi, njoftoi palët se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Sipas aktakuzës së ngritur më 22 dhjetor 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Valton Hasani akuzohet se më 18 dhjetor 2025, ka shkruar komente në profilin e tij në rrjetin social Facebook, në të cilat e kishte përmendur (tagg) gazetarin Adriatik Kelmendin, për t’u siguruar se ai do t’i shikonte ato komente.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari fillimisht e shau dhe e ofendoi tani të dëmtuarin, e më pastaj me qëllim të kanosjes dhe frikësimit për jetë, kishte shkruar koment duke thënë “Adriatik Kelmendi nali ata langojt e tu me kto epitete se familjen jau… komplet stafit prej rojtarit deri te shkëlqimi atje”, pastaj vazhdon “po ju them mos e hapni gojën shumë po spo merrni vesh mdoket”, “Klan Kosova Adriatik Kelmendi kape lajmin lahper”, “Klan Kosova, Serbia, sekser po me quani a epo masi kokna sekser deshuni e pritnim komplet ndërrimi”. Të gjitha këto i kishte shoqëruar me fotografi duke bërë postimin me logon e Klan Kosovës dhe duke mbajtur në duar mjete të përshtatshme për shkaktimin e lëndimeve trupore, me ç’rast tek i dëmtuari ka shkaktuar ndjenjën e frikës dhe ankth për jetën.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosje” nga neni 181, par.2 të Kodit Penal.