Para nisjes së Benfica për në Madrid, presidenti Manuel Rui Costa foli me gazetarët në aeroportin “Humberto Delgado” të Lisbonës, duke komentuar edhe ngjarjet pas humbjes 1-0 në sfidën e parë të “play off”-it të Champions-it. Për imazhet që qarkulluan, ai sqaroi: “I keni pamjet. Në vend që të thoni se shkova të shtypja dikë, mund t’i shihnit thjesht. Unë hyra në tunel vetëm për të qetësuar situatën pas tensionit të ndeshjes. Nuk ndodhi asgjë e rëndë, vetëm biseda”.
Ai mbrojti më pas Prestianni, i pezulluar përkohësisht nga UEFA: “Një gjë nuk e përjashton tjetrën, por nuk duhet të harrojmë çfarë ndodhi në shtëpi. Valverde kishte një sjellje agresive dhe duhej të pezullohej. Ne besojmë te fjala e lojtarit tonë. Prestiannin po e etiketojnë si racist, por është krejt e kundërta. Mund ta garantoj”.
Rui Costa shtoi: “Flas një javë pas incidentit. Informuam tifozët për të gjitha procedurat dhe e mbrojtëm lojtarin kur ishte e nevojshme. Nuk kishte kuptim të diskutohej çdo ditë për një proces që ende nuk ka vendim”.
The post Rui Costa mbron Prestiannin: Po e etiketojnë si racist, por është krejt e kundërta. Ju garantoj appeared first on Telesport.










