Ka një tjetër Kvaratskhelia në Gjeorgji, është vëllai Tornike dhe luan për… Interin

Kur në verën e vitit 2022, Khvicha Kvaratskhelia zbarkoi në Serie A, ai dukej si një “alien”, falë talentit dhe lojës që bëri menjëherë për vete tifozët e Napolit, duke kontribuar edhe në fitimin e një titulli të paharrueshëm.

Sot, emri Kvaratskhelia rikthehet në qendër të vëmendjes, sepse një tjetër “Kvara” është tashmë i lidhur me një klub të Serie A, por jo me Napolin. Bëhet fjalë për Interin dhe vëllain e tij më të vogël, Tornike Kvaratskhelia.

Tornike ka mbushur 16 vjeç më 7 shkurt dhe për rolin në fushë, lëvizjet dhe profilin futbollistik i ngjan shumë vëllait të madh, edhe pse Khvicha është 9 vite më i madh. Ai është një sulmues krahu që nis nga e majta për t’u futur në qendër dhe përdor lehtësisht të dyja këmbët.

Është ende herët për krahasime në nivel arritjesh, por videot e tij tregojnë lëvizje që kujtojnë talentin që mahniti Napolin. Tornike luan aktualisht tek Inter Academy Georgia, marrëveshja e së cilës me klubin zikaltër zgjat deri në vitin 2029. Interi synon ta sjellë në Itali nëse kushtet bëhen të favorshme.

The post Ka një tjetër Kvaratskhelia në Gjeorgji, është vëllai Tornike dhe luan për… Interin appeared first on Telesport.