Kapet mish pa dokumentacion në Klinë

Një person po hetohet në Klinë nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Prodhim dhe vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor”.

Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 22 shkurt, rreth orës 23:55, në rrugën “Sadik Rama”, ku gjatë kontrollit të një veture është gjetur një sasi mishi i freskët pa dokumente përcjellëse.

Policia bën të ditur se mishi po transportohej në kushte që janë në kundërshtim me ligjin.

Lidhur me rastin janë njoftuar prokurori kompetent dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, e cila pritet të ndërmarrë veprimet përkatëse në lidhje me trajtimin e produktit të sekuestruar.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.