Arrestohet në Malishevë kryesuesi që dyshohet për falsifikim të rezultatit të votimit

Një person është arrestuar në Malishevë nën dyshimin se ka falsifikuar rezultatet e votimit gjatë procesit zgjedhor.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, i dyshuari, mashkull kosovar, kishte ushtruar detyrën e kryesuesit të komisionit për numërimin e votave të kandidatëve për deputetë.

Ai dyshohet se gjatë këtij procesi ka manipuluar rezultatet.

Ngjarja ka ndodhur dje, rreth orës 08:30, ndërsa arrestimi i të dyshuarit është realizuar më 22 shkurt 2026. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit të rastit, ai është dërguar në mbajtje.

“Malishevë 23.01.2026-08:30. Në lidhje me rastin, më 22.02.2026, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili në procesin zgjedhor kishte qenë kryesues i komisionit për numërim të votave të kandidateve për deputet. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.