Milani njoftoi se Ruben Loftus-Cheek ka pësuar një traumë të rëndë në fytyrë, që shkaktoi frakturë të procesit alveolar të nofullës. Futbollisti u shtrua në repartin e Kirurgjisë Maksilo-Faciale dhe Klinikës Odontoiatrike të “ASST Santi Paolo e Carlo”, ku iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale nga doktori Luca Autelitano.

Operacioni për reduktimin dhe stabilizimin e frakturës përfundoi me sukses të plotë. Lojtari është në gjendje të mirë, është liruar nga spitali dhe koha e rikuperimit parashikohet rreth 8 javë. “Ishte një goditje e fortë, por më e keqja ka kaluar, – shkroi anglezi në rrjetet sociale. – Falënderoj nga zemra gjithë stafin mjekësor për profesionalizmin dhe kujdesin.

Një falënderim i veçantë për tifozët për mesazhet e shumta të mbështetjes. I kam lexuar dhe më kanë dhënë forcë të jashtëzakonshme. Faleminderit edhe shokëve të skuadrës, jemi një grup, një familje. Tani përpara drejt objektivave tanë, të fortë dhe të bashkuar”.

The post Dëmtimi i rëndë, Loftus-Cheek kalon me sukses operacionin në nofulla. Jashtë fushave për rreth 8 javë appeared first on Telesport.









