Bedri Hamza, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka folur lidhur me takimin që ka zhvilluar një ditë më parë me kryeministrin Albin Kurti për mundësinë e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.
Ai ka thënë se kanë mbetur më pak se 10 ditë për zgjedhjen e presidentit të ri.
“Nuk janë as 10 ditë. Kam pasur ftesë nga z. Kurti për takim, iu kam përgjigjur ftesës. Në ftesë kanë qenë dy opsione, dita e diel dhe e hënë… e kam propozuar ditën e diel dhe dje jemi takuar me z. Kurti”, ka thënë ai.
“Kemi biseduar për tema të ndryshme, sigurisht se ne si PDK dhe për mua e kam thënë, e ripërsëris… se interesi i Kosovës gjithmonë është para interesit politik të secilës parti politike dhe besoj se në këtë drejtim kemi reflektuar. Ne, me konstituimin e Kuvendit, i kemi votuar të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare pa dallim…”, ka shtuar Hamza në një intervistë në “Debat Plus”.
Sipas tij, të gjitha këto veprime janë tregues se PDK dhe partitë e tjera opozitare nuk kanë bërë asnjë veprim që do të vendoste pengesa në këtë drejtim.
Hamza theksoi se vendi nuk mund të ketë stabilitet politik pa zgjedhjen e presidentit.
Ai shtoi se në takimin e djeshëm nuk kishte shkuar për të bërë marrëveshje politike me Kurtin.
“Nuk kam shkuar që të bëj marrëveshje politike për të kërkuar që ne të kemi hise apo të përfitojmë diçka politikisht apo të bëjmë ndonjë pazar politik”, ka thënë ai.









