Më 15 prill 2024, në një periudhë të ngarkuar me zhvillime politike, Albina Kastrati-Abdixhiku, bashkëshortja e Lumir Abdixhiku, ka regjistruar një kompani që, sipas të dhënave zyrtare, merret me prodhim, transmetim dhe tregtim të energjisë elektrike.
Sektori i energjisë, duke qenë ndër më të ndjeshmit dhe më strategjikët në vend, e bën këtë zhvillim objekt interesi publik, sidomos kur lidhet me familjarë të figurave të larta politike.
Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka pranuar se bashkëshortja e tij është pronare e një kompanie që operon në fushën e energjisë elektrike, por ka mohuar që ajo merret me tregti.
“Ja, jo. Nuk ka kompani të tregtimit të rrymës, është e pavërtetë…Nuk ka tregtim të energjisë elektrike. Gabim e keni. Është kompani elektrike, po jo për tregti. Është licencë e veçantë, kuptoni. S’është temë kjo”, ka deklaruar Abdixhiku në një përgjigje për VOX Kosova.
Megjithatë, sipas dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, kompania “Ampera SH.P.K.” figuron si operator ekonomik që, ndër veprimtaritë e regjistruara, ka edhe tregtimin me energji elektrike.

Në të dhënat zyrtare rezulton se Albina Kastrati-Abdixhiku zotëron 25 për qind të aksioneve në këtë kompani.
Këto të dhëna krijojnë një mospërputhje mes deklaratës së Abdixhikut dhe regjistrimeve zyrtare.
LDK-ja, partia më e vjetër në Kosovë, është duke përjetuar një ndër periudhat më të vështira në historinë e vet, pasi zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit sollën rezultatin e dytë më të keq për të.
Abdixhiku ia ka ofruar Kuvendit të partisë dorëheqjen e tij nga pozita e kryetarit, pas rezultatit të shënuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Në këtë proces zgjedhor, LDK-ja fitoi 13.24 për qind të votave, rezultati i dytë më i keq qysh prej pasluftës.
Por, disa figura partiake kanë kërkuar dorëheqjen e tij të parevokueshme, duke mos u pajtuar me votëbesim.
Në mesin e tyre është Hykmete Bajrami, e cila ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së partisë dhe e ka kërkuar të njëjtën edhe nga Abdixhiku.
Lidhja Demokratike e Kosovës e mbajti Kuvendin e partisë më 31 janar, ku kryetari Abdixhiku, kërkoi votëbesimin e delegatëve.
Mirëpo, Abdixhiku i mbijetoi votëbesimit.
Abdixhiku ka thënë se Kuvendi ka zhvilluar mbi shtatë orë diskutime, ndërsa vazhdimin e qëndrimit në krye të partisë e ka përshkruar si privilegj dhe përgjegjësi.
“Me votim të mbyllur u dha verdikti i anëtarësisë së LDK-së për të cilin jam falënderues, por po ashtu jam edhe mirënjohës i mbështetjes së vazhdueshme, por edhe kundërshtimeve në këtë proces përpara”, u ka thënë ai mediave pas përfundimit të procesit të votimit.
Abdixhiku ka thënë se partia i ka miratuar dy deklarata politike: njërën për riorganizim të partisë, dhe tjetrën për gjendjen politike në Kosovë.
Sa i përket deklaratës së dytë, ai ka thënë se partia është zotuar për dikutime të hapura me gjithë spektrin politik, me qëllim të ofrimit të një stabiliteti për të ardhmen e Republikës së Kosovës. Ai ka thënë se partia është e interesuar të gjejë konsensus edhe për çështjen e presidentit të Kosovës.










